Ambasadori I Republikës së Koosvës në Pragë, Arbër Vllahiu, ka takuar sot kryetarin e Senatit të Parlamentit të Republikës së Çekisë, Jaroslav Kubera me të cilin është dakorduar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës e Çekisë në fushën e ekonomisë dhe në fushat e tjera.
Kryetari i Senatit Kubera ka shprehur bindjen e tij se Kosova në një të ardhme të afërt do të jetë në hap me zhvillimet e gjithëmbarshme evropiane.
Ambasadori Vllahiu ka bërë postimin në rrjetet e tij sociale pas takimit me kryetarin e Senatit, Jaroslav Kubera.
“Takim I përzemërt dhe shumë miqësor me Kryetarin e Senatit të Parlamentit të Republikës së Çekisë, z. Jaroslav Kubera, me të cilin ndamë pikëpamje të përbashkëta për marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Çekisë. Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona po shënojnë përparim në të gjitha fushat dhe me theks të veçantë në shkëmbimet tregtare dhe në ekonomi dhe me kryetarin Kubera u pajtuam për të thelluar edhe më shumë këto marrëdhënie. Republika e Çekisë do të vazhdojë të jetë përkrahëse e rrugës së integrimeve për Kosovën dhe për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe e gatshme që të ndihmojë në procesin e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës. Kryetari i Senatit të Parlamentit të Republikës së Çekisë shprehu interesimin e tij për zhvillimet në Kosovë dhe rajon dhe për proceset nëpër të cilat po kalon vendi. Kryetari Kubera shprehu bindjen se Kosova në një të ardhme të afërt do të jetë në hap me zhvillmet e gjithmbarshme evropiane”, ka shkruar Vllahiu.