Fjalë Kyçe

Kryetari Ragip Begaj me gjendje të rënduar shëndetësore

Kryetari Ragip Begaj me gjendje të rënduar shëndetësore

Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj është në gjendje të rëndë shëndetësore. Si pasojë e infektimit me Covid-19, Begaj tash e një javë po mjekohet në Klinikën Infektive në QKUK.

Këtë lajm e ka bërë të ditur për KosovaPress, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili shpreson që me angazhimin e madh të profesionistëve shëndetësor, Begaj do të arrijë të mposhtë Covid-19.

“Sot është dita e 10-të që prej kryetari Begaj është testuar për Covid-19, tri ditët e para të periudhës ka qëndruar në shtëpi, dhe më pas i është keqësuar gjendja e kryetarit dhe e kemi hospitalizuar. Aktualisht është duke u trajtuar në Klinikën Infektive në Prishtinë. Gjendja e tij paraqitet akoma e rëndë, mirëpo me një stabilitet të qëndrueshëm. Po shpresojmë që me gjithë punën që është duke u bërë dhe angazhimin edhe të profesionistëve shëndetësorë po shpresojmë ma të mirën, përndryshe gjendja akoma është e rrezikshme”, tha ai.

Nënkryetari Komunës së Malishevës një intervistë për KosovaPress ka folur edhe për masat e reja antiCovid të miratuara dje nga Qeveria e Kosovës.

Ai ka thënë se pavarësisht që nuk janë konsultuar paraprakisht nga Qeveria, këto masa janë përfill në përgjithësi në këtë komunë.o

“Si çdo komunë tjetër edhe ne i kemi përfill në përgjithësi vendimet e Qeverisë që janë marr ditën e djeshme. Edhe ne e ndajmë mendimin se është dashur paraprakisht një konsultë. Megjithëse ne si komunë jemi të qetë edhe për na numri i të prekurve, po mbahemi mirë me menaxhim të pandemisë. Megjithatë të gjitha masat që janë ndërmarr dje nga Qeveria e Kosovës janë zbatuar sot në përpikëri nga ana e mekanizmave komunal”, tha ai.

Pandemia sikurse në të gjitha komunat e vendit, edhe te bizneset në komunën e Malishevës ka ndikuar mjaftë negativisht.

“Bizneset janë në gjendje të rënduar sidomos gastronomia është një prej sektorëve që është prekur më së shumti prej fillimit të pandemisë, nuk është gjendja e tyre e mirë, ndaj shqetësimin bashkë me ta që kanë protestuar sot. Shpresoj që të gjenden modalitete të tjera për të ju ndihmuar bizneseve e sidomos sektorit të gastronomisë”, tha ai.

Komunat nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për t’u dalë në ndihmë bizneseve, andaj Berisha shpresat i mban te Qeveria nga e cila shpreson që të kalojë sa më parë projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike.

“Ju kemi ndihmuar për aq sa kemi pasur mundësi por buxhetet e komunave janë me kapacitet të limituar, por megjithatë kemi ndërmarr diçka sikur lirimin nga taksat, periodikisht i kemi liruar, por që ndihma më e madhe duhet të merret nga Qeveria dhe ne po presim që Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike të miratohet dhe të merr udhë sepse përnjëmend bizneset janë në situatë të keqe”, tha ai.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës miratoi të premten masat shtesë për mbrojtje nga Covid-19. Ndër to edhe mbylljen e shumë bizneseve gjatë vikendit.