Fjalë Kyçe

Kryetarja e Kushtetueses u përgjigjet reagimeve të pushtetit: Pala humbëse gjithmonë ka kritika

Kryetarja e Kushtetueses u përgjigjet reagimeve të pushtetit: Pala humbëse gjithmonë ka kritika

Akuzave se Gjykata Kushtetuese është dorë e zgjatur e opozitës së tanishme, iu ka përgjigjur kryetarja e Gjykatës, Gresa Caka-Nimani, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Tempus”, në KTV.

Ajo ka thënë se të gjitha partitë opozitare ndër vite e kanë përdorur të drejtën kushtetuese për t’iu drejtuar në Gjykatën Kushtetuese, duke kontestuar aktet e autoriteteve publike dhe jo vetëm aktet apo ligjet e dërguara në Kuvend, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Të gjitha partitë politike, kanë humbur apo fituar raste të rëndësishme në Gjykatë. Sigurisht, pala humbëse gjithmonë ka kritikuar gjykatën. Është në natyrën vendimmarrëse të Gjykatës Kushtetuese dhe jo vetëm edhe në gjykatat e rregullta që gjithmonë ka një palë humbëse, prandaj në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese asnjëherë nuk është me rëndësi pritja e palëve para gjykatës apo perceptimi publik që mund të pasojë pas një vendimmarrje të Gjykatës”, ka thënë ajo.

Po të ndodhte kjo, sipas kryetares do të ishte në kundërshtim të plotë me konceptin e pavarësisë dhe paanshmërisë se Gjykatës Kushtetuese, roli i të cilës është mbrojta dhe interpretimi.

“Udhërrëfyesi i vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese është testi i kohës. Është vetëm koha ajo që tregon nëse një vendim ka qenë i drejtë apo jo. Dhe është vetëm koha ajo që e balancon perceptimin e mundshëm që Gjykata Kushtetuese mund t’i shërbejë një partie apo një partie tjetër politike”, tha Caka-Nimani.