Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, ka njoftuar se sot nga Aeroporti i Stuttgartit në Gjermani, janë riatdhesuar edhe 143 shtetas të Kosovës.
“Nga fillimi i Pandemisë dhe deri me këtë fluturim, Misioni Diplomatik i Republikës së Kosovës në Gjermani, përkundër të të gjitha vështirësive, ka arritur të kthejë më shumë se 520 shtetas në Kosovë”, ka njoftuar Cufaj përmes faqes zyrtare të Ambasadës së Kosovës në Gjermani.
Secili person që hyn në Kosovë duhet t’i nënshtrohet karantinës shtatëditore në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Ai ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve dhe ka njoftuar se ditëve në vijim do të kthejnë edhe të tjerë.