Fjalë Kyçe

Kujtim Gashi flet për punën vjetore të Ministrisë së Kulturës

Kujtim Gashi flet për punën vjetore të Ministrisë së Kulturës

Ministri Gashi: MKRS-ja ka realizuar 98.6% të planit të punës për 2018-tën

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mbajti konferencën e fundvitit ku prezantoi të arriturat e 2018-tës.

Ministri Gashi konsideroi se viti që po lëmë pas ka qenë një vit i suksesshëm pasi që janë realizuar shumica prej objektivave dhe planit të punës së MKRS-së, falë një pune dhe përkushtimi të palodhshme e tërë stafit të ministrisë, thuhet në njoftimin ministror.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes mekanizmave institucional e ligjor ka vazhduar me përmbushjen e objektivave të përcaktuara në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit duke krijuar mjedis mbështetës institucional për zhvillimin bashkëkohor të këtyre fushave, duke e promovuar identitetin kulturor, sportiv dhe rininë e Kosovës brenda dhe jashtë vendit” u shpreh ministri Gashi.

Ministri Gashi numëroi të arriturat veç e veç në fushat që ka në përgjegjësi MKRS-ja.

Kultura

Gjatë këtij viti është përkrahur krijimtaria kulturore në vend, duke përfshirë aktivitetet e institucioneve publike kulturore: si Teatri Kombëtar i Kosovës, Filarmonia-Opera e Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës, Ansambli KKV “Shota”, Galeria Kombëtare e Kosovës, Qendra Kinematografike e Kosovës, Kosovafilmi dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës, si dhe aktivitetet e kulturës së pavarur, përfshirë ato të asociacioneve dhe organizatave të pavarura kulturore, artistëve, etj.

“Është përmirësuar infrastruktura ligjore në fushën e kulturës e më konkretisht është aprovuar Rregullorja për Pagat dhe Gradat e Krijueseve, Performuesve dhe Punonjësve të Trashëgimisë Kulturore, me të cilën janë rritur pagat e këtyre kategorive 50%; Që nga ky vit, të gjithë krijuesit, perfomuesit dhe punonjësit e Trashëgimisë Kulturore marrin paga 50% më të larta”, sqaroi ministri, duke shtuar se në fushën e kulturës janë miratuar një sërë aktesh ligjore e nënligjore dhe janë një proces edhe një mori aktesh tjera, fjala vjen, Ligji për Teatrot dhe Ligji për Filarmoninë, Operën dhe Baletin e Kosovës.

Ministri gjithashtu njoftoi për hartimin e dokumentit strategjik “Strategjia për Kulturë 2019-2023” i cili është në proces.

Në kuadër të marrëveshjeve të nënshkruara spikat ajo e arritur mes Kosovës dhe BE-së për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Komisionit Evropian “Evropa Kreative”. Marrëveshja tjetër është ajo e Kalendarit të Përbashkët Kulturor ndërmjet Kosovës e Shqipërisë.

Ministri përmendi rritjen e mbështetjes financiare për projektet kulturore artistike, ku veçohen projektet që bartëse të tyre kanë qenë gjinia femërore dhe personat me nevoja të veçanta. Edhe për projektet e sektorit e Diversitetit dhe Dialogut Kulturor ka pasur një kujdes të veçantë krahasuar me vitin paraprak. Këto projekte kanë arritur shumë e përgjithshme të përkrahjes gati të 1,5 milion eurove.

Ministri Gashi e ka vlerësuar si të suksesshme përfaqësimin e Kosovës në ngjarjet ndërkombëtare kulturore. “Kosova është përfaqësuar në edicionin e 16-të Bienales së Arkitekturës në Venedik 2018; Në Festivalin e Filmit në Kanë; në tregun e filmit- European Film Market; Në festivalin prestigjioz Berlinale; Në tregun e filmit “Japan Content Showcase – TIFFCOM 2017”, aleat i festivalit të madh “Tokyo International Film Festival”, u shpreh ministri.

Ministri prezantoi edhe punën dhe të arriturat e institucioneve të kulturës, respektivisht Teatrit të Kosovës, ku janë realizuar nëntë premiera në dy skenat, prezantimin në tri festivale ndërkombëtare të teatrit me katër shfaqje. Baleti i Kosovës ka realizuar katër premiera dhe 53 repriza brenda vendit dhe 16 shfaqje jashtë Kosovës. Filarmonia ka realizuar 12 koncerte premierë dhe tri sosh jashtë Kosovës. Galeria Kombëtare e Kosovës ka realizuar 13 ekspozita me artistë vendorë e ndërkombëtarë dhe ka pasur bashkëpunim me disa vende të rajonit. Ndërkaq, Galeria e MKRS-së ka realizuar 11 ekspozita. Ansambli “Shota” ka realizuar katër premiera dhe ka marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar në Bullgari ku ka arritur të fitojë katër vend të para në konkurrencën e Ansambleve. Qendra Kinematografike e Kosovës ka mbështetur prodhimin e filmave vendorë, projekte të cilat kanë marrë pjesë në festivalet botërore dhe përpos që janë nominuar kanë arritur të shpërblehen edhe me disa çmime.

Trashëgimia kulturore

Në kuadër të infrastrukturës ligjore, është hartuar dhe miratuar Statuti i Muzeut të Kosovës, është hartuar Udhëzuesi për Shenjëzimin e aseteve të Trashëgimisë Kulturore, Plani i Menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe për kalanë e Novobërdës. Është miratuar Lista e Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje të përkohshme me 1595 asete, prej tyre 28 të reja kurse nuk është bërë asnjë largim. Është me rëndësi të potencohet se të gjitha asetet e reja kanë dokumentacion dhe incizim të gjendjes ekzistuese, përveç dosjeve sipas propozimit. Gjate këtij viti, po ashtu vlen të përmendet se është hartuar një numër i madh i projekteve (30 projekte të konservimit -restaurimit) si dhe projekti zbatues për rehabilitimin e rrugës “Marin Barleti” në Prizren. Projekte këto të hartuara nga institucionet vartëse të trashëgimisë kulturore.

“Aktiviteti kryesor në fushën e trashëgimisë kulturore për këtë vit mbetet hapja e Ekspozitës Bazë në Muzeun e Kosovës”, tha ndër të tjera ministri Gashi.

Ai sqaroi se janë realizuar 8 projekte në kategorinë e trashëgimisë arkeologjike: Kalanë e Prizrenit, Kalanë e Vuqakut, Kalanë e Dardanes, Kalanë e Kekqekollës, Kalanë e Novobërdës, lokalitetin e Dresnikut dhe kalanë e Marecit. Janë zhvilluar gërmime arkeologjike në parku “Ulpiana” dhe janë ndërmarrë aktivitete vetëm me karakter të mirëmbajtjes dhe sigurisë së parkut.

Në kuadër të trashëgimisë arkitekturore janë realizuar 13 projekte: Shtëpia e Katarina Josipit në Zym të Hasit, Kulla e Fazli Buqollit në Raushiq, Ura e Gurit në Vushtrri, Ish ndërtesa e Rektoratit në Prizren, Shtëpia e Shemsedin Fishekçiut, Shtëpia e Familjes Rada, Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Shtëpia e Familjes Grazhdo – Bilurdagu, Hamami i Gazi Mehmed Pashës, Muzeu Arkeologjik me Sahat Kullë, Kompleks Banimi i Familjes Xhejshylmedine, Shtëpia e Familjës Puka dhe Bashkëfinancim për Shtatoren e Skënderbeut në Zym të Hasit.

Këtë vit një vëmendje e veçantë i është kushtuar botimeve dhe janë realizuar 11 publikime për arkeologjinë.

Ministri Gashi nënvizoi edhe bashkëpunimin me institucionet tjera vendore e ndërkombëtare në fushën e trashëgimisë dhe që janë nënshkruar tetë memorandume bashkëpunimi. Ministri, me theks foli për faktin se për herë të parë pas 18 vitesh, institucionet e kulturës dhe trashëgimisë do të kenë nënkodet e veçanta buxhetore.

Ministri vlerësoi edhe punën e institucioneve të trashëgimisë. Inspektorati i Trashegimisë Kulturore, i cili u themelua në fillim të vitit si organ inspektues dhe si një mekanizëm për parandalimin e dëmtimit të trashëgimisë kulturore, ka bërë ndalimin e punimeve të paautorizuara në disa prej aseteve të trashëgimisë kulturore në tërë territorin e Republikës së Kosovës, gjithsej 13 sosh, në Prishtinë 4, Prizren 7 dhe në Deçan 2 ndalime. Inspektorati ka proceduar 6 kallëzime penale dhe ka nxjerrë 32 rekomandime.

Rinia

Është bërë avancimi i kornizës ligjore dhe është në përfundim e sipër strategjia e re për rini dhe Ligji për Rininë. Si të arritura për këtë vit mund të theksohen: Fillimi i ndërtimit të Kampit Rinor në Pjetërshan të Gjakovës, themelimi i fondit për rini në vlerë prej 2 milion euro, ndërtimi i qendrave rinore, avancimi i shumë projekteve për edukimin formal për të rinjtë, përkrahja e projekteve të shumta përmes thirrjeve publike që realizon MKRS-ja dhe futja e Kosovës në RYCO (Zyra e Rinisë për Bashkëpunim Rajonal) si një vend i barabartë me vendet tjera dhe Kosova është e para që ka hapur zyrën e RYCO-s në Kosovë.

Sporti

Fushat e rëndësishme ligjore në sport janë rregulluar dhe janë nxjerrë akte nënligjore sipas planit. Është bërë miratimi i Rregullores për Kategorizimin e Sportistëve dhe Trajnerëve; Rregullores për Kategorizimin e Sportistëve; Rregullores për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe formës për vërtetimin e sponzorizimit në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit; Rregullores për organizimin, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative si dhe është duke u punuar në Ligjin e ri dhe Strategjinë e Sportit.

Është themeluar Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative.

Me sukses është organizuar Java Evropiane e Sportit, e cila është mbajtur për herë të parë në Kosovë, ku janë realizuar afërsisht 90 aktivitete sportive, rekreative e fizike me një pjesëmarrje të gati 12 mijë njerëzve, në javën e fundit të shtatorit.

“Gjatë këtij viti dukshëm është mbështetur financiarisht Komiteti Olimpik i Kosovës, Federatat Sportive, si dhe organizatat tjera sportive, ku si rezultat i kësaj mbështetje, të arriturat e sportisteve tanë janë të jashtëzakonshme. Sportistët tanë gjatë këtij viti, vendit tonë i kanë sjellë gjithsej 54 medalje nëpër garat ndërkombëtare. Ndërkaq nëse i referohemi rezultateve të arritura nga ana e sportistëve tanë nëpër garat ndërkombëtare dhe ato ballkanike numri i medaljeve arrin në 100 sosh nëpër sporte të ndryshme”, ka shpjeguar ministri Kujtim Gashi.

Ministri theksoi se vëmendje e posaçme dhe me prioritet i është kushtuar përmirësimit dhe avancimit të infrastrukturës fizike sportive. “Është filluar ndërtimi i 12 stadiumeve ndihmëse të futbollit për ekipet e Superligës në komuna të ndryshme të Kosovës. Ndërtimi i Pishinës Olimpike në Prizren, dhe përfundimi i procedurave për fillimin e ndërtimit të Stadiumit Kombëtar me një kapacitet prej 30 mijë ulëse, janë projekte të cilat i kemi finalizuar”, shpjegoi tutje ministri.

“Ne kemi përmbyllur suksesshëm edhe shumë projekte kapitale në sferën e sportit si: Stadiumi i qytetit të Prishtinës sipas kategorisë së IV i licencuar nga UEFA, ku Kosova për herë të parë i luan lojërat ndërkombëtare në këtë stadium; Stadiumi ndihmës në  Skenderaj; Stadiumi në Shtime; Ndërtimin e Poligonit Sportiv në Drenas; Përfundimi i Stadiumit në Malishevë, i cili u përurua gjatë këtij muaji”, tha ministri.

“Po ashtu, në kuadër të mbështetjes financiare për sportistët individual ne si MKRS kemi ndarë rreth 36 bursa për shpresat olimpike dhe paraolimpike”, foli ministri duke theksuar se sportistët dhe trajnerët nga ky vit kanë filluar të financohen rregullisht në bazë të të arriturave.

 

E Drejta e Autorit

Në tetori, Qeveria ka miratuar Rregulloren për të Drejtën e Kompensimit të Veçantë dhe Reprografik; Rregulloren Nr. 05 / 2013 për Ndërmjetësimin e Mosmarrëveshjeve në Fushën e të Drejtave të Autorit; e cila shërben për përafrimin e legjislacionit me Aquis të BE-së.

Zyra e të Drejtës së Autorit (ZDA) dhe Agjencia e Pronësisë Industriale, me rastin e Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale kanë organizuar “Konferencën të Drejtat e Pronësisë Intelektuale në Kosovë – Arritjet dhe Sfidat”; ZDA ka organizuar Konferencën Rajonale mbi të Drejtën e Autorit “E Drejta në kohen Digjitale”, Në konferencë kanë marr pjesë 143 pjesëmarrës, në mesin e pjesëmarrësve ka pas gjyqtarë, prokurorë, avokat, zyrtarë të lartë shtetërorë; ZDA ka organizuar Konferencën Rajonale mbi të Drejtën e Autorit “E Drejta në kohen Digjitale”, Në konferencë kanë marr pjesë 143 pjesëmarrës, në mesin e pjesëmarrësve ka pas gjyqtarë, prokurorë, avokat, zyrtarë të lartë shtetërorë; Gjatë këtij viti, ZDA ka ofruar këshillim ligjor për 65 bartës të të drejtave dhe ka publikuar numrin e katërt të revistës “Autori”. Task Forca kundër piraterisë, për të luftuar piraterinë digjitale, ka ndërmarrë një hap vendimtar, veçanërisht Drejtoria për Krimet Ekonomike dhe Sektori i Krimit Kibernetik në Policinë e Kosovës, ka iniciuar hetime kundër operatorëve që ofrojnë IPTV; Është nënshkruar marrëveshja e parë historike për tarifat e përgjithshme në Kosovë, midis APIK-ut, dhe përfaqësuesit të transmetuesve.

Në kuadër të procesit të Integrimit Evropian, konkretisht të Programit Kombëtar për zbatimin e MSA-së (PKZMSA) është formalizuar marrëveshja për Evropën Kreative ka është funksionalizuar Desku Evropa Kreative Kosovë. Është asistuar për të koordinuar në hartimin dhe finalizimin e proceseve legjislative. Është bërë koordinimi për  asistencë të IPA-së dhe TAIEX, për t’u koordinuar për aplikim në kuadër të instrumenteve të asistencës së jashtme në kuadër të BE-së;

Ministri Gashi ka theksuar se prej që është themeluar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për herë të parë është tejkaluar realizimi i Planit Legjislativ. MKRS-ja arritur të dërgojë për aprovim në Qeverinë e Kosovës tetë projektligje: Dy Projektligje nga fusha e Sportit; Tri Projektligje nga fusha e Kulturës; Një Projektligj nga fusha e Trashëgimisë Kulturore; Një Projektligj nga fusha e te Drejtës se Autorit dhe te Drejtat dhe një Projektligj i cili përfshinë fushën e Rinise, Kulturës dhe Sportit.

Janë aprovuar edhe koncept dokumentet: Koncept Dokumenti për Filharmoninë, Operën dhe Baletin, njëkohësisht jemi në përfundim edhe të Projektligjit për Filharmonine, Operën dhe Baletin; Koncept Dokumenti për Trashëgiminë Kulturore, njëkohësisht është punuar edhe drafti i parë i Projektligjit për Trashëgiminë Kulturore; Koncept Dokumenti për Teatrot, njëkohësisht është punuar edhe drafti i parë i Projektligjit për Teatrot; Koncept Dokumenti për ndërmjetësimin e kontesteve në fushën e drejtës së autorit. Ndërsa në procedim e sipër janë: Koncept Dokumenti për Kinematografinë; Koncept Dokumenti për Rini; dhe Koncept Dokumenti për Arkivat.

“Gjatë këtij viti ne si MKRS kemi nënshkruar 51 Memorandume të Bashkëpunimit në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit me të cilat janë mbështetur veprimtari të ndryshme duke përfshi komunat, federatat sportive, sportistet dhe trajnerët si dhe institucione tjera”, u shpreh ministri.

Ministri Gashi për fund ka rinkonfirmuar përkushtimin e tij se do të angazhohet maksimalisht për të përmbushur objektivat dhe bashkë me stafin e MKRS-së do të zbatojnë plotësisht planin e punës për vitin 2019.