Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi janë nderuar me një tjetër çmim.
Trajneri dhe sportistja më e mirë në histori të Kosovës janë shpërblyer sot me çmimin “Ditët e Shqipes”.
Ky nder iu bë atyre në ditën e veteranëve të betejës së Koshares, ku u vlerësua lartë sakrifica e madhe e dëshmorëve në betejën e Koshares.
Organizimi u bë nën patronatin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe ish-brigadës 138 “Agim Ramadani”, shkruan “Gazeta Express”.
Kuka dhe Kelmendi u vlerësuan lartë për punën dhe përkushtimin e madh në sport, i cili i solli rezultate kulminante Kosovës
Atyre, çmimin ua ndau Rrustem Berisha, ish-komandant i kësaj brigade.
Me këtë rast, Kuka u shpreh i nderuar me çmimin e marrë.
Trajneri pejan shtoi se ai dhe garuesit e tjerë po e ndjekin rrugën e luftëtarëve.
Ndërsa, Majlinda Kelmendi tha se ndihet krenare që e ka ngritur lart flamurin shtetëror të Kosovës.
Ajo ndihet me fat dhe e nderuar që e pati mundësinë t’ia tregojë botës vlerat që i ka vendi i saj.
Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi ia kanë sjell Kosovës sukseset më të mëdha në sport, duke fituar medalje të artë olimpike.