Fjalë Kyçe

Kullat tradicionale, potencial i ri për zhvillimin e turizmit

Kullat tradicionale, potencial i ri për zhvillimin e turizmit

Emisioni “TAG Kosova” do të vijë të premten mbrëma me episodin e ri. Fokus i emisionit këtë herë do të jetë potenciali turistik që ka fshati i Milishevcit në Deçan. Tashmë numri i bujtinave në këto anë është duke u rritur e për rrjedhojë edhe numri i turistëve.

Veçantia e kësaj ane janë kullat që dikur ishin shtëpi familjesh të mëdha e fortifikata kolektive e të cilat tashmë po kthehen në bujtina të cilat janë bërë atraksion për turistë nga mbarë bota. Banorët tregojnë se ajri i pastër, uji e qetësia që ofron ky vend ka arritur të tërheqë turistë edhe nga Italia, Spanja e Amerika.

Familja e Labinot Mulajt është vetëm njëra e cila tashmë e ka shndërruar në biznes familjar menaxhimin e bujtinave. Ndryshe në këto hapësira mund të akomodohen prej 30 deri në 50 persona. E ushqimet tradicionale nuk mungojnë asnjëherë në sofrat e kullave të kësaj ane.

Flija, specat me ajkë e leqenikët me recetë Dukagjini, djathë, kos e perime vendi janë pjesë e shujtave. Zhvillimi i turizmit në këto anë ka ndikuar edhe në rritjen e vendeve të punës e sidomos në angazhimin e grave të zonës.

Si mund të arrini në këtë anë? Çfarë duhet pasur parasysh para se të vizitoni një nga kullat e Milishecit? Këto dhe jo vetëm, shikuesit do të mund t’i ndjekin në edicionin e nëntë të emisionit “TAG Kosova”, të premten, prej orës 21:00, në Kohavision, dhe në faqen zyrtare të portalit Koha.net në Facebook.