Fjalë Kyçe

Kundërshtari i Dritës e Feronikelit udhëheq në listën e veçantë për “fitore të lehta”

Kundërshtari i Dritës e Feronikelit udhëheq në listën e veçantë për “fitore të lehta”

Në stadiumin ‘Victoria” në Gjibraltar, Drita e drejtuar nga Bekim Isufi, kishte fituar 4:1 pas kohës shtesë ndaj Lincoln Red Imps. Ndeshja e luajtur më 29 qershor 2018 ishte finale e raundit preliminar të Ligës së Kampionëve.

Lincolni pësoi humbje të thellë në shtëpi, ndërkohë që shquhet për fitoret e lehta që i shënon në ndeshjet në kampionatin vendas. Madje udhëheq në nivel global sa i takon “fitoreve të lehta” në ndeshjet e kampionatit lokal.

Është CIES, Qendra Nacionale për Studime Sportive me seli në Neuchatel të Zvicrës, që ka përpiluar listën e skuadrave me përqindjen më të lartë të fitoreve në kampionatin vendorë me tri apo më shumë gola dallim. Për bazë është marrë periudha prej vitit 2015 deri në vitin 2020, ndërsa Lincoln Red Imps udhëheq me 49.6 për qind të fitoreve të tilla.

Në listë janë edhe skuadra të mëdha, por jo lartë në rangim. Ajaxi është i pesti, ndërsa PSG dhe Barcelona në vend të nëntë.

Lincolni gati gjysmën e ndeshjeve në kampionat vendor i fiton me tri apo më shumë gola dallim. Pason Tefana e Tahitit me 42.9 për qind të fitoreve të tilla e më pas Ceres-Negros e Filipineve me 41.9 për qind. The New Saints i Uellsit është i katërti me 38,4 për qind, ndërsa Ajaxi është i pesti me 37,4 për qind. Pasojnë Al Kuwaiti i Kuvajtit, Al Saddi Katarit, Flora Tallin e Estonisë, kurse PSG e Barcelona kanë përqindje të njëjtë të fitoreve me tri apo ma shumë gola dallim, 35,4 për qind.

Në fakt ky studim nuk ka fare të bëjë me cilësinë e ligave. Liga e Gjibraltarit vlerësohet më e dobta sa i takon Konfederatës Evropiane të Futbollit. Por në konkurrencën që ekziston në atë vend, Lincolni shquhet për fitore të thella.

Analizave të CIES-it iu referohen edhe mediat më të mëdha ndërkombëtare.

“Është një e dhënë interesante, që dëshmon se në Gjibraltar është skuadra kryesore. Të fitosh gati gjysmën e ndeshjeve me tri apo më shumë gola dallim, është dëshmi e qartë se për atë ligë nuk ke konkurrencë. Është interesant që pikërisht me tri gola dallim ne e kemi mposhtur Lincolnin në stadiumin e tij. Për ne ishte moment historik gjithsesi, duke ditur që jemi rishtas në skenën evropiane”, ka thënë Bekim Isufi për Koha.net.

Me Lincolnin është takuar edhe Feronikeli, vitin e kaluar në gjysmëfinale të raundit preliminar të Championsit, në Prishtinë. Feronikeli fitoi 1:0. Përballje tjera me këtë skuadër do të kenë ekipet kosovare në raundet preliminare të Championsit, e ndoshta edhe të Ligës së Evropës. Kosova edhe një kohë nuk do të shmang nivelet preliminare të Kupave Evropiane.

Në Gjibraltarin e vogël, ku liga është amatore, të gjitha ndeshjet luhen në stadiumin Victoria. Vlerësohet prej stadiumeve që rrethohet nga ambienti më i bukur. Lincolni ndryshon vetëm zhveshtoren kur luan si vendas apo si mysafir. Në këtë stadium priti edhe Dritën, por nuk mori rezultatin që e merr më së shpeshti – fitoren e thellë.