Nga MASHT’i, shkollat u njoftuan se mësimi përfundon më 28 qershor, por këtë e kundërshton SBASHK’u.
Katër muaj më parë, Kryeministri paralajmëronte mësimdhënësit se stina e verës mund t’iu kalojë nëpër ambientet e shkollës, për t’i kompensuar orët e humbura gjatë grevës.
Por një deklaratë e tillë nuk është përfillur nga institucionet arsimore, krahas asaj që mësimdhënësit për tri javë rresht kishin bojkotuar mësimin.
Është fundi i vitit shkollor, e sipas Ministrisë, orët e humbura do të kompensoheshin, vendim i cili është përkrahur edhe nga Gjykata Themelore.
Por nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, thonë se më 21 qershor, procesi mësimor do të përfundojë, pa asnjë ditë kompensim.
Sipas Jasharajt, ekziston unitet mes të gjitha shkollave në Kosovë, që mësimi të përfundojë më 21 qershor.
Datë të njëjtë ka edhe Ahmet Pllana, mësimdhënës në shkollën “Dardania” në Prishtinë, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i SBASHK’ut për Komunën e Prishtinës.
Krahas që kreu i SBASHK’ut për komunën e Prishtinës, përmend këtë datë për përfundim të mësimit, ndryshe janë njoftuar prindërit e nxënësve në shkolla të kryeqytetit.
T7 ka siguruar vendimin e MASHT’it që përmes drejtorive komunale të arsimit, njofton se mësimi do të përfundojë më datën 28 qershor, rrjedhimisht se do të kompensohen orët e humbura të grevës.
Njëjtë deklaruan edhe prindërit, fëmijët e të cilëve vijojnë mësimin në shkollën “Faik Konica”.
Përmes telefonit, datë të njëjtë kanë përmendur edhe disa shkolla brenda komunës së Prishtinës.
Sindikata e Arsimit kishte dërguar kërkesë edhe në Gjykatën e Apelit, për ta interpretuar vendimin për kompensimin e orëve. Por akoma nuk është vendosur diçka në lidhje me këtë ceshtje.
Ndërsa Ministria e Arsimit, nuk i ka kthyer përgjigje televizionit T7, për ta sqaruar se si do të zgjidhet çështja e kompensimit.