Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur të premten ka thënë se me vendimin për të shpallur të pavlefshëm Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të vonojë ndjekjen e krimit.
Ndërkohë që i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë, që menjëherë të fillojë ndryshimet në këtë Ligj, Kurti, duke iu referuar 5 votave kundër dhe 4 për ligjin të gjyqtarëve të Kushtetueses, ka thënë se gjysma e tyre e shohin ndryshe Kushtetutën.
Kurti ka thënë se sikurse për hartimin e këtij ligji edhe për atë për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), janë konsultuar me Komisionin e Venecias.
“Kemi hartuar dhe miratuar ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ashtu siç kemi hartuar për KPK-në, i cili në seancë të radhës do të votohet lexim të dytë, për më shumë prokurorë të pavarur nga politika dhe efikas. Si reforma thelbësore u konsultuan me Komisionin e Venecias, Ai i aprovoi të dyja këto, jo vetëm për shkak të qëllimit, por edhe pse siguronin garanci në vend të korporatizimit në KPK e dobi publike karshi pasurimit pabazë kriminal. Me gjithë këto, Kushtetuesja rrëzoi dy ligjet, duke zgjedhur kësisoj të vonojë ndjekjen e krimit, ta vonojë reformën tonë. Me 5 vota për e 4 kundër Gjykata Kushtetuese ka gjetur se Kushtetuta është shkelur me Ligjin për Byronë, duke treguar që Kushtetua ndryshe shihet nga gjysma e gjyqtarëve”, është shprehur Kurti.
“Njëkohësisht kjo Gjykatë gjen se manipulimi në blerjen e insulinave dhe kësisoj rrezikim të shëndetit publik, nuk është faji i anëtares së OSHP-së që u shkarkua nga Kuvendi me propozim të Qeverisë sepse nuk ishte dëshmuar shkelja e etikës së punës si bazë për shkarkim. E rrezikimi i shëndetit publik e tenderët milionësh për Kushtetuesen, nuk është në kundërshtim me Kushtetutën dhe vlerat e saj”, ka shtuar Kurti.
Ai ka theksuar se shpreson që vendimi për Ligjin për Byronë të publikohet sa me shpejt. “Një vjet e katër muaj i janë dashur Kushtetueses ta sjellë vendimin për Byronë, ende të papublikuar dhe të paqartë. Shpresoj që nuk i duhen edhe katër muaj të tjerë. Kërkoj nga MD-ja që menjëherë të fillojë me ndryshime dhe të procedojë me urgjencë Ligjin. Drejtësia duhet të bëhet, duhet të ketë, do të ketë”, është shprehur Kurti.