Fjalë Kyçe

Kurti bashkëbisedoi me avokatët mbrojtës të të burgosurve në Hagë

Kurti bashkëbisedoi me avokatët mbrojtës të të burgosurve në Hagë

Kryeministri Albin Kurti sot bashkëbisedoi me të gjithë avokatët dhe bashkë-avokatët e ekipeve mbrojtëse të shqiptarëve të akuzuar para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Takimi u mbajt online dhe zgjati gati dy orë dhe gjatë tij u diskutuan kërkesat e ekipeve mbrojtëse për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Takimi u mbajt si rezultat i nevojës për të diskutuar dhe adresuar kërkesat e bëra nga ekipet mbrojtëse: procesi i stërzgjatur i mbajtjes në paraburgim të të akuzuarve, mos-respektimi i praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mungesa e përkthimeve dhe, në veçanti, mosmarrja në konsideratë e okupimit dhe krimeve të Serbisë në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta.

Kryeministri Kurti propozoi që takimet e tilla të vazhdojnë e të jenë të rregullta.

Të gjitha ekipet u shprehën tejet mirënjohëse për mundësinë e diskutimit direkt me Kryeministrin Kurti, dhe shprehën falënderim me faktin që Qeveria e Kosovës po tregon interesim dhe angazhim në lidhje me procesin para Dhomave të Specializuara.