Fjalë Kyçe

Kurti bën thirrje për vaksinim: Të merret dhe doza përforcuese

Kurti bën thirrje për vaksinim: Të merret dhe doza përforcuese

Kryeministri i vendit Albin Kurti ka thënë se pandemia ende nuk ka marrë fund dhe fushata e vaksinimit duhet ende të vazhdojë.

Kurti iu ka bërë thirrjet të gjithë qytetarëve që të marrin dy dozat e para sa më shpejt, teksa ka shtuar që duhet për ta rifituar imunitetin e plotë duhet të mirret edhe doza e tretë përforcuese.

Kreu i Ekzekutivit, në një postim në Facebook ka bërë të ditur se sot janë shënuar mbi 1.8 milionë doza të vaksinës anti-COVID të administruara në Kosovë që nga fillimi i vaksinimit.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin dy dozat e para sa më shpejt. Mbrojtja kundër infektimit, spitalizimit dhe humbjes së jetës bie dukshëm duke filluar disa muaj pas imunizimit me dy dozat e para. Andaj, për ta rifituar imunitetin e plotë duhet të merrni edhe dozën e tretë përforcuese, posa të kalojnë tre muaj pas marrjes së dozës së dytë. Me kujdes të shtuar, bashkë do t’ia dalim”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Sot kemi shënuar mbi 1.8 milionë doza të vaksinës anti-COVID të administruara në Republikën e Kosovës, ndërsa gati 900,000 qytetarë janë vaksinuar me të paktën një dozë. Këto arritje kanë ardhur si rezultat i vullnetit të qytetarëve të Republikës për të mbrojtur vetveten dhe të tjerët rreth tyre, si dhe i punës së palodhshme të punonjësve shëndetësorë, për të cilën jemi të gjithë falënderues.

Mirëpo, përderisa pandemia ende nuk ka marrë fund, edhe fushata jonë e vaksinimit duhet ende të vazhdojë. Për këtë arsye, kemi pranuar dje një donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej 515,970 dozave shtesë; në total arrihen mbi 1 milion vaksina të dhëna nga ShBA. Ky donacion do ta ndihmojë Kosovën që të zgjerojë sa më shumë imunitetin mes popullatës sonë. U jemi përjetësisht mirënjohës ShBA-së dhe aleatëve të tjerë që kanë kontribuar në betejën tonë kundër COVID-19.

U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin dy dozat e para sa më shpejt. Mbrojtja kundër infektimit, spitalizimit dhe humbjes së jetës bie dukshëm duke filluar disa muaj pas imunizimit me dy dozat e para. Andaj, për ta rifituar imunitetin e plotë duhet të merrni edhe dozën e tretë përforcuese, posa të kalojnë tre muaj pas marrjes së dozës së dytë.

Me kujdes të shtuar, bashkë do t’ia dalim./reporteri