Fjalë Kyçe

Kurti deklarohet për zgjedhjet serbe, ky është kushti për t’u mbajtur në Kosovë

Kurti deklarohet për zgjedhjet serbe, ky është kushti për t’u mbajtur në Kosovë

Së bashku me zëvendëskryeministren e Kosovës dhe njëherësh ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pati një takim virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës.

Gjatë bisedës u diskutua për situatën në rajon dhe sigurinë e rajonit pas invazionit dhe agresionit rus në Ukrainë.

“Republika e Kosovës që nga fillimi ka shprehur solidarizimin me Ukrainën dhe popullin ukrainas gjersa pa hezitim ka dënuar ashpër agresionin e Federatës Ruse, duke iu bashkuar BE-së, ShBA-ve dhe botës demokratike në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.”, thuhet në njoftim për media.

Çështje tjetër për të cilën u diskutua në këtë takim virtual ishte edhe ajo e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, për të cilat kryeministri tha se për t’u mbajtur edhe në Kosovë duhet të ketë një marrëveshje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

“Ai u tha ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë të Republikës së Kosovës se ne nuk dëshirojmë që t’ia pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të Republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit. Ndaj të dyjave do të sillemi me përgjegjësi, u shpreh kryeministri Kurti derisa tha se është në komunikim të vazhdueshëm me shtetet e QUINT-it.” thuhet tutje në njoftimin e Qeverisë Kurti.

Gjithashtu, u diskutua edhe për një angazhim më të madh në fushën e diplomacisë ekonomike, duke filluar nga krijimi i kontakteve dhe urave lidhëse për të promovuar potencialin e Kosovës nëpër botë.