Fjalë Kyçe

Kurti dhe Çeku vizitojnë ekspozitën e Autostradës Biennale në Prizren, njoftohen për programin e edukimit

Kurti dhe Çeku vizitojnë ekspozitën e Autostradës Biennale në Prizren, njoftohen për programin e edukimit

I shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kryeministri i Republikës Albin Kurti, ka vizituar sot tri ekspozita të bienales ndërkombëtare të artit bashkëkohor, Autostrada Biennale.

Ata fillimisht vizituan Hapësirën e Edukimit dhe Prodhimit të Autostradës Biennale në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren, ku u njoftuan mbi ekspozitën dhe programin e edukimit që kjo biennale po zhvillon.

“E ndodhur në hangarin e dikurshëm të KFOR-it gjerman, transformuar tashmë në një hapësirë inovacioni, ajo ka për qëllim fuqizimin e të rinjve të Kosovës përmes edukimit, trajnimeve dhe punëtorive në fushën e artit, teknologjisë dhe inovacionit”, thuhet në njoftimin për media.

Në njoftim theksohet se Kurti dhe Çeku vazhduan për në Stacionin e Autobusëve në Prizren kur po shfaqen ekspozitat e katër artistëve të artit bashkëkohor, e ku Stacioni i Autobusëve këtë vit po mirëpret ekspozitat e Autostradës Biennale për të tretën herë radhazi.

Në fund, ata vizituan ekspozitën e artistëve Sezgin Boynik dhe Tevfik Rada e cila po mbahet në Shtëpinë e Shani Efendiut.

“Se arti nuk është vetëm e bukura, por edhe mësimi dhe puna, po na e dëshmon edhe ky edicion i Autostrada Biennale”, është shprehur Kurti, bëhet e ditur në njoftimin për media.

“Ai i falënderoi organizatorët dhe kuratorën për prezantimin e tyre. Meqë arti dhe veprat e artit duhet të jenë të atilla që sa më shumë njerëz t’i shohin sa më shpesh, kryeministri uroi që gjithnjë e më shumë qytetarë të bëhen vizitorë të këtyre ekspozitave”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij njoftimi Autostrada Biennale është i vetmi institucion i artit bashkëkohor në Prizren dhe është themeluar në vitin 2014.