Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, me të cilin ka biseduar për nevojën e intensifikimit të dialogut me Serbinë drejt një marrëveshjeje përfundimtare me njohje reciproke.
Kurti, përmes një postimi në Twitter, thotë se Sekretarin amerikan e ka njoftuar edhe për progresin e vazhdueshëm në Kosovë.
““Pata një bisedë shumë të mirë telefonike me sekretarin Blinken. E informova për progresin e vazhdueshëm në Kosovë. Biseduam për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën e intensifikimit të procesit të dialogut drejt një marrëveshjeje ligjërisht obligative që në qendër ka njohjen reciproke”, ka shkruar Kurti, transmeton Telegrafi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të dielën se është optimist që në muajt vijues do të mund të arrihet një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë.
Ai i ka bërë këto deklarata në kuadër të seminarit të 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s që është mbajtur këtë herë në Prishtinë.
Në diskutim e sipër me pjesëmarrësit, Kurti ka thënë se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel, është krijuar një qasje e re, duke përmendur kornizën e përgjithshme të marrëveshjes.