Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, më 2 korrik 2025.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se do të bëjë çmos për konstituimin e Kuvendit të Kosovës në frymën e bashkëpunimit, për të vazhduar më pas me formimin e Qeverisë së re.
Kurti i bëri komentet pas një takimi të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani, për të diskutuar mundësitë për dalje nga kriza institucionale.
Ai nuk tregoi nëse ka dalë me ndonjë propozim të ri, apo ndonjë detaj tjetër nga biseda me Osmanin.
“Diskutuam gjerë e gjatë, i përmendëm të gjitha elementet përbërëse… Zonja presidente do të ketë takime edhe me përfaqësues të partive të tjera politike. Mbase në fund do të mund të shohim nëse kemi bërë përparim”, tha Kurti, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Besoj se duhet t’u japim shans edhe takimeve të tjera, e më pas të shohim se cili është progresi”, shtoi ai para gazetarëve.
Pas Kurtit, Osmani priti kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili tha se e konfirmoi “gatishmërinë” e partisë së tij për të luajtur rolin e saj në gjetjen e një zgjidhje për krizën politike, “sidomos tani pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”.
Presidentja Vjosa Osmani në takim me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.
Presidentja Vjosa Osmani në takim me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.
Përkundër plot 40 përpjekjeve, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur ende ta konstituojnë institucionin ligjvënës.
Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.
Krasniqi nuk tregoi hollësi nga takimi duke folur për gazetarë pasi u largua nga presidenca, por tha se shpreson se këto konsulta të jenë në funksion të gjetjes së rrugëdaljes.
“Shpresojmë që takimet e tjera që i ka planifikuar presidentja të qartësojnë nëse ka apo jo një ndryshim të kryeneçësi politike të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kurtit që po vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar konstituimin e Kuvendit”, theksoi Krasniqi.
Deputetë në sallën e seancave të Kuvendit të Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Ai tregoi se ia përsëriti presidencës qëndrimin e njohur të partisë së tij se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese “e ka bërë të palejueshëm ndryshimin e mënyrës së votimit në mes të procesit”.
PDK-j, sipas tij, vazhdon të kërkojë që “të kthehemi te pika e rendit të ditës, zgjedhja e kryetarit të kuvendit përmes votimit të hapur dhe të sillet një propozim i një kandidati apo kandidateje që mund t’i marrë votat”.
Me një vendim të lëshuar javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka urdhëruar konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh.
Që nga aktgjykimi janë mbajtur edhe dy seanca në Kuvend, por pa rezultat.
Përfaqësuesit e partive politike fajësojnë njëri-tjetrin për mungesë përgjegjësie.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, këmbëngul në emrin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare.
Por Haxhiu, për disa herë me radhë, nuk ka arritur t’i sigurojë 61 votat e domosdoshme për këtë pozitë.
Vetëvendosje insiston në votim të feshehtë, por partitë e tjera janë kundër, ndaj edhe refuzojnë kërkesën e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për të propozuar përfaqësues për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë.