Kryeministri Albin Kurti ka takuar të shtunën mbrëma raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Nga Zyra e Kryeministrit kanë njoftuar se temë diskutimi në këtë takim kanë qenë zgjedhjet në Bashkimin Evropian që pritet të mbahen këtë vit, zhvillimet në rajon dhe agjenda e Qeverisë për këtë vit.
Më tej thuhet se Kurti e ka falënderuar Cramonin për angazhimin e saj sa i përket liberalizimit të vizave.
“Duke folur për zhvillimet pozitive në këtë fillimvit, kryeministri veçoi liberalizimin e vizave për çka e falënderoi znj. Cramon për punën dhe angazhimin e saj. Në më pak se tri vite qeverisje, Kosova prin në rajon për qeverisjen e mirë, demokracinë, sundimin e ligjit dhe zhvillim ekonomik. Kryeministri e falënderoi dhe shprehu vlerësimin për rolin dhe angazhimin e znj. Cramon në Parlamentin Evropian”, thuhet më tej në njoftim.