Kryeministri Albin Kurti do të takohet sot me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, i cili është i vetmi nga krerët opozitar që i ka thënë ‘PO’ ftesës së kreut të qeverisë.
Kurti ndërkaq ka marrë përgjigje negative nga kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku dhe ai i AAK-së Ramush Haradinaj.
Kurti ka thënë se në këtë takim pritet të diskutohet rreth agjendës legjislative, kurse Memli Krasniqi ka thënë për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.
“Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar ftesën e Kryeministrit Albin Kurti për një takim pune, për të hënën dhe mund ta konfirmoj që Kryetari Memli Krasniqi do të marrë pjesë në këtë takim. Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”, ka thënë Faton Abdullahu, zëdhënës i PDK-së.
Ndërkaq kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur negativisht ftesës së kryeministrit Kurti për darkë pune.
Në përgjigjen që kreu i LDK-së ia ka kthyer kryeministrit Kurit, thuhet se e konsideron të vonuar këtë ftesë për takim, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet.
Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i është përgjigjur negativisht ftesës së kryeministrit Kurti për darkë pune që do të organizohet të hënën më 13 maj.
Në përgjigjen që kreu i AAK-së, ia ka kthyer kryeministrit Kurit, thuhet tematikat e kësaj darke bien nën përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare, në këtë rast Besnik Tahirit, i cili e udhëheqë grupin e AAK-së.