Fjalë Kyçe

Kurti flet me përfaqësuesit e Shoqatës së të Burgosurve Politikë për mundësitë e dokumentimit të torturave

Kurti flet me përfaqësuesit e Shoqatës së të Burgosurve Politikë për mundësitë e dokumentimit të torturave

Kryeministri Albin Kurti ka pritur të martën në takim përfaqësuesit e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, me të cilët ka diskutuar për mundësitë e dokumentimit të torturave fizike nga regjimi serb mbi mijëra të burgosur shqiptarë.

Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se në këtë takim është theksuar rëndësia e dokumentimit të shtypjes politike dhe dhunës së përdorur mbi aktivistët politikë shqiptarë dhe intelektualët e angazhuar për të drejta politike, për vetëvendosje, për çlirim dhe për Republikën e Kosovës.

“U bisedua për mundësitë e dokumentimit për të dëshmuar të vërtetën mbi torturat fizike dhe trysnitë psikike nga regjimi kriminal i Serbisë mbi mijëra të burgosur shqiptarë. Duke veҫuar masakrën mbi të burgosurit politikë në burgun e Dubravës, u tha se ndonëse të burgosurit e mbijetuar e kanë rrëfyer historinë e masakrës bashkë me emrat e atyre që kryen këtë krim lufte, kryesit ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë, përkundër dëshmive dhe dëshmitarëve”, thuhet më tej në njoftim.

Në takim ku të pranishëm ishin kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Shefki Sadiku dhe përfaqësuesit Meriman Braha, Hydajet Hyseni, Xhemajl Pllana dhe Xhevat Bislimi, u bisedua për format e mundshme të mbështetjes për ShBPK-së dhe fuqizimin e saj.