Kryeministri i i Kosovës, Albin Kurti, i ka ofruar opozitës në Kuvend ndihmën e partisë së tij për t’i bërë numrat që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Kurti, duke sfiduar subjektet opozitare që të dërgojnë vendin në zgjedhje, ka thënë se opozita duhet ta thotë fjalën e vet.
“Unë nuk mund të shkojë në zgjedhje pa opozitën. Për shkuarje në zgjedhje duhen 2/3 e votave dhe nuk ka mënyrë tjetër sipas aktvendimit të Kushtetueses”, tha Kurti për RTK.
I pari i Qeverisë i ka bërë ftesë opozitës që vendi të shkojë në zgjedhje.
“Ata numrat mund t’i bëjnë bashkë me neve. Kjo është ofertë e imja. Unë them që shkojmë në zgjedhje kur opozita dëshiron. Ne i ndihmojmë opozitës nëse duan të shkojmë në zgjedhje. Ne jemi gjithmonë gati”, ka deklaruar ndër të tjera Kurti.
Kurti ka folur edhe për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se janë shumë të mira.
“Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një aleat i pazëvendësueshëm, e i paçmueshëm, si një partner substancial në të kaluarën, në të ardhmen e sidomos tani në këtë vit të rëndësishëm dhe si një mik të dëshmuar janë shumë të mira, por marrëdhënia do të thotë edhe marrje edhe dhënie dhe në anën tjetër duhet të jetë një raport me rrugë dy kahore. Nëse për të pasur marrëdhënie të shkëlqyeshme kushti dhe garancia, dhe mundësia është veç serviliteti do t’i kishin pas ata që kanë shkuar jo unë, pse erdhi puna unë të bëhem kryeministër. Sepse populli i Kosovës po donë marrëdhënie më të thella e më të gjëra, jo me shkëlqye nga serviliteti, por me përfitu nga normaliteti. Populli dëshironte që edhe me partnerët edhe aleatët tanë të mos përfitojmë ne si individ, por të përfitoj shteti edhe ne si individ humbim nga pak”, ka theksuar Kurti.
Kurti ka theksuar sa ka ngecje në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por jo me fajin e Kosovës.
Sipas tij, problemet lindën kur Brukseli nuk e përdori fuqinë e tij, i cili si arbitër ta sanksionoi Serbinë sa herë ka shkelje të marrëveshjes.
“Nuk mund te kemi zbatim të marrëveshjes derisa kemi shkelje të saj. Sot jemi në këtë situatë jo të mirë për shkak se arbitri nuk e ka qortuar Serbinë që bëri shkelje të marrëveshjes”, ka thënë kreu i ekzekutivit.