Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar kancelarit austriak Karl Nehammer që të shtyjë përpara procesin e liberalizimit të vizave dhe që Kosova të përfitojë më shumë fonde nga Bashkimi Evropian.
Këto kërkesa Kurti tha se i bëri gjatë takimit që pati me Nehammerin të premten në Prishtinë.
“E falënderova për mbështetjen dhe ndihmën gjatë luftës. Austria ishte rreze shprese gjatë okupimit dhe ndër shtetet e para që njohu dhe hapi ambasadën në Kosovë. Biseduam për marrëdhëniet tradicionalisht të forta mes dy vendeve dhe mundësisë së thellimit të tyre. Jemi duke punuar për t’u integruar në Bashkimin Evropian. E sigurova kancelarin që Kosova vazhdon të mbetet aleat i besueshëm. Kemi strehuar refugjatët afganë, kemi shpall sanksione ndaj Rusisë dhe kemi shpreh gatishmëri për strehimin e refugjatëve ukrainas. Nga kancelari kërkova që Austria të shtyjë përpara vendimin për liberalizim të vizave në Këshillin Evropian, pasi ky është vendim i vonuar që po i dëmton qytetarët, bizneset dhe ekonominë e Kosovës. Kosova duhet të përfitojë më shumë fonde nga BE-ja. Fondet e BE-së duhet të jenë të ndërlidhura me vlerat e BE-së”, ka thënë Kurti.