Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë që sot pritet një takim i radhës mes tij dhe Isa Mustafës, duke shtuar se ende nuk janë dakorduar për orën dhe vendin.
“Tema është ajo e njëjta, pra si ta rrumbullakojmë marrëveshjen përfundimtare për koalicionin qeverisës midis LVV-së dhe LDK-së, pastaj nga lartësia e asaj marrëveshje do të ishte shumë kollaj që edhe pakicat dhe përfaqësuesit e tyre të përfshimë në qeverinë tonë”, tha Kurti.Duke iu referuar ofertave të fundit të shkëmbyera me LDK-në, kryetari i LVV-së tha që janë duke u përpjekur ti përafrojnë qëndrimet.
“Ne do të takohemi sot, komunikimin e kemi pasur të vazhdueshëm, pozicionet i kemi të qarta, pozicionet tona i korrespondojnë qëndrimeve tona. Këto pozicione tona do të përpiqemi ti afrojmë në mënyrë që ta kurorëzojmë me marrëveshje”, tha Kurti gjatë vizitës së tij në qytetin e Prizrenit.
Sipas Kurtit, ditëve në vazhdim pritet që të arrihet marrëveshja.
“Po e bëmë sot ose këtë javë unë nuk mendoj që është tepër vone në përgjithësi si shtet jemi vonë, me besimin e mirë me vullnetin dhe përkushtimin që kam duke qenë të përkushtuar besoj që në ditët e mbetura do të arrimë marrëveshjen. Nuk jemi takuar në shtëpinë e kryetarin e LDK-së jemi takuar në RIT Kosova në përpjekje që të negociojmë në mënyrë të qetë. Jemi takuar të premten herën e fundit”, theksoi ai.