Fjalë Kyçe

Kurti: Krimi i organizuar e ka vetëm bishtin në Karaçevë, koka është në Prishtinë

Kurti: Krimi i organizuar e ka vetëm bishtin në Karaçevë, koka është në Prishtinë

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në konferencë për media ka thënë se krimi i organizuar e ka vetëm bishtin në Karaçevë, pasi koka është në Prishtinë

Kurti ka përgëzuar policët për aksionin e mbrëmshëm në Karaçevë, derisa ka thënë se duhet të vazhdohet.

“I përgëzoj policët për aksionin e djeshëm. Fillimi nuk është mbarim. Tani duhet të vazhdohet tutje. Nëse i mbrëmshmi ka qenë krim i madh, atëherë e kane kapur vetëm për bishti. Koka është diku tjetër, ndoshta në Prishtinë. Sistemi ynë i drejtësisë përgjithësisht dështon në luftimin e krimit sepse nuk i kap kokat. Nuk vazhdon procesi me hallkat e tjera të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë”, ka thënë Kurti.

Ai ka kërkuar që të ketë prani të përhershme në Karaçevë.

“Krimi i organizuar në Karaçevë nuk e ka kokën në Karaçevë. Pas aksionit të mbrëmshëm nevojitet prani e përhershme e policisë në Karaçevë. Mbrëmë kemi parë një fillim i cili është shokues për nga numri i policëve të arrestuar. Ka ngelur edhe shumë për t’u bërë. Ka pasur aksione spektakolare edhe më herët por nuk kanë rezultuar me dënime”, ka thënë Kurti.

Dihet që numri më i madh i kriminelëve të paqes për metër katror në Republikën e Kosovës është në Prishtinë. E tash nëse luftojmë korrupsionin e lartë dhe krimin e organizuar si bëhet se ka kaq shumë zell për të vrapuar në Zubin Potok e në Karaçevë e jo në Prishtinë. Kriminelët e mëdhenj janë fatkeqësisht në kryeqytet, prandaj për mua është absurde që ka kaq shumë zell për të shkuar larg kryeqytetit, ku për bindjen time, janë kokat e krimit”, ka thënë Kurti.

Ai thotë se këto i kanë denoncuar pa fund dhe qytetarët i kanë dëgjuar përmes “Pronto I e II” e me radhë.

Kurti gjithashtu ka deklaruar se ish-ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e tij, Agim Veli, kishte dështuar t’ia sjellë një kërkesë me shkrim për një aksion në Zubin Potok.

“Ai ish-ministri im i Brendshëm pati ardhur me kërkesën për leje për një aksion në Zubin Potok, pastaj për në Karaçevë. Por, pati dështuar të më sjellë diçka me shkrim. Kjo nuk është mënyra se si duhet të veprohet. Kam kërkuar asi kohe aksion të përgatitur mirë dhe jo aventurë. Ish-ministri im vinte me fjalë goje dhe asnjë letër në takim. Uroj që kësaj radhe të jetë krejtësisht ndryshe. S’mund të pranoja diçka të tillë për të cilën nuk kisha asnjë hollësi për planin”, ka thënë Kurti.

E në këtë konferencë për media ka folur edhe Kreshnik Ahmeti, sekretar i VV-së për marrëdhënie me jashtë, i cili ka konfirmuar se Vetëvendosje është anëtarësuar në Aleancën Progresive.

Sipas tij kjo krijon mundësi që të lobohet për njohjen e Republikës së Kosovës.

“Sot Aleanca Progresive ka pranuar VV-në si anëtare më të re. Me asnjë votë kundër është vendosur që të bëhet pjesë e kësaj aleance ndërkombëtare. Kjo krijon mundësi që të lobohet për njohjen e Republikës së Kosovës. Ky sukses vjen si rezultat i vlerave socialdemokrate të LVV-se, si rezultat i Qeverisë Kurti”, ka thënë Ahmeti.

Kurse kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se ky anëtarësim është bashkëpunim për liri, drejtësi dhe solidaritet.

“Krahas rritjes në Kosovë kemi përkrahje edhe në arenën ndërkombëtare. Ky është sukses për Kosovën në kontrast me dështimin e Qeverise koti. Aleanca Progresive është bashkëpunim për liri, drejtësi dhe solidaritet”, është shprehur Kurti.

Ai thotë se korrupsioni pengon progresin shoqëror dhe pjesëmarrjen universale të njerëzve.

“Duam të krijojmë vende pune dhe të luftojmë papunësinë dhe të garantojmë barazinë gjinore. Duam një ekonomi globale që ushtron tregti të ndershme dhe që operon në dobi të njerëzve”, ka thënë ai.