Fjalë Kyçe

Kurti: Kushtetuta e Kaçanikut dokument me vlera historike, duhet nisur ribotimi i saj

Kurti: Kushtetuta e Kaçanikut dokument me vlera historike, duhet nisur ribotimi i saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës që u miratua në Kaçanik 32 vjet më parë, pos që është një dokument me vlera historike, mund të shërbejë edhe për përmbajtjen e saj profesionale, politikisht vizionare dhe historikisht të drejtë.

Kurti në postim në Facebook, ka thënë se është koha të mendohet për ribotimin e kësaj Kushtetute si dokument historik.

“Duke miratuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës që ishte propozuar në atë mbledhje, delegatët legjitimë të Kuvendit të Kosovës, shpallën Republikën e Kosovës. Megjithëse kjo republikë u njoh vetëm nga Republika e Shqipërisë, ajo do të bëhej një themel i fortë i një tradite demokratike dhe shtetërore përmes së cilës, gjatë viteve ’90-të, shqiptarët e Kosovës manifestuan vullnetin e tyre politik në kuadër të Jugosllavisë që i shtypi dhe i diskriminoi, deri te lufta çlirimtare e vitit 1999. Republika e parë e Kosovës, qe një republikë për mbijetesë të subjektivitetit politik të Kosovës, deri në shpalljen e të dytës Republikë të Kosovës më 17 shkurt 2008, që sot e gëzojmë dhe për forcimin e përparimin e së cilës punojmë vazhdimisht. Sot bëhen 32 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës në Kaçanik, e cila sa herë që i rikthehemi si tekst, shohim që përveçse si një dokument me vlera historike, mund të na shërbejë edhe për përmbajtjen e saj aq profesionale, politikisht vizionare dhe historikisht të drejtë. Atë kohë, Kushtetuta e Republikës së Kosovës që u shpall në Kaçanik u shtyp në rreth 500 kopje, disa prej të cilave, sikur kjo kopje këtu, fatmirësisht kanë mbijetuar deri sot, për t’u arkivuar dhe dëshmuar nga historia. Mbase është koha që të nisim e të mendojmë për ribotimin e saj si dokument historik, në edicione shkencore të shoqëruara me studime përkatëse”, ka shkruar Kurti.