Politikani serb Nenad Çanak e vlerëson si të drejtë Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës pagesat brenda territorit të Kosovës bëhen vetëm me valutën euro.
Ish-kryetari i Lidhjes Social Demokrate të Vojvodinës ka përmendur si shembull Malin e Zi, që veproi në të njëjtën mënyrë për ta kompletuar sovranitetin shtetëror.
Megjithatë, Çanak thotë se në këtë fazë duhet treguar edhe kujdes për komunitetin serb në Kosovë.
“Futja e euros si valutë në të gjithë territorin e Kosovës është një lëvizje krejtësisht logjike. Të njëjtën gjë bëri edhe Mali i Zi në një moment për të kompletuar sovranitetin e tij shtetëror. E vetmja gjë e rëndësishme në këtë moment është të sigurohet që njerëzit në Kosovë, që marrin pensione dhe të drejta të tjera nga Serbia, të mos preken nga kjo lëvizje. Komuniteti ndërkombëtar reagon me nervozizëm, sepse çdo lëvizje e pavarur në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës shikohet vetëm nga prizmi i këtyre marrëdhënieve dhe nuk i kushtohet vëmendje e mjaftueshme funksionimit të sistemit, ekonomisë dhe sundimit të ligjit brenda kufijve të Kosovës”, ka thënë ai.
Çanak ka folur edhe për reagimet e shteteve QUINT-it që po kërkojnë shtyrjen e këtij vendimi.
Ai e konsideron si diçka të pamundur që një kryeministri i një vendi sovran t’i dëgjoj të gjitha kërkesat e ndërkombëtarëve.
Politikani serb, madje e cilëson kryeministrin Kurti, si një lojtar të fortë.
“Kryeministri Kurti është një lojtar i fortë dhe përpiqet të qeverisë vendin në përputhje me bindjet e tij. Të mbështetesh te partnerët perëndimorë është logjike dhe e rëndësishme, por zbatimi i pakushtëzuar i ideve të tyre është diçka me të cilën asnjë njeri me integritet nuk mund të pajtohet. Qytetarët e Kosovës duhet të marrin vendime për Kosovën përmes përfaqësuesve të tyre të zgjedhur”, ka thënë Çanak për Tëvë1.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar se komunikimi rreth vendimit për rregulloren e Bankës Qendrore për pagesat vetëm me valutën euro, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb, ka mundur të ishte më i qartë “për të shmangur konfuzion”.
Pavarësisht se rregullorja e BQK-së për pagesa me para të gatshme hyri në fuqi më 1 shkurt, mes kritikave nga faktori ndërkombëtar dhe serbëve lokalë, Kurti tha se e kupton që “një periudhë tranzicioni është e nevojshme”, duke shtuar se një periudhë e tillë tranzicioni veçse ka nisur.
Kryeministri kosovar tha të martën se gjatë këtij muaji autoritetet do të ofrojnë informacione që “ky tranzicion të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundur”.
“Një periudhë tranzicioni kurrë nuk duhet të keqinterpretohet si sulm apo ndarje e thelluar. Dhe pasiguria e shkurtër që haset gjatë kësaj periudhe nuk duhet të shfrytëzohet për përfitimin politik”, tha Kurti, sipas një njoftimi për media të lëshuar nga zyra e tij më 6 shkurt.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kritikuar Kosovën për miratimin e Rregullores së BQK-së, pa konsultime paraprake.
SHBA-ja po ashtu ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hoveriner ka deklaruar se “ne kemi shqetësime të thella për mënyrën e zbatimit të kësaj rregulloreje, pasi besojmë se nuk i merr parasysh disa shqetësime të komuniteteve”.
Kurti sërish përsëriti qëndrimin e tij se rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme nuk është kundër dinarit serb dhe se serbët që pranojnë pensione dhe ndihmë tjetër nga Serbia me dinarë, mund të vazhdojnë t’i pranojnë ato, por ato pagesa duhet të deponohen në llogaritë bankare në Kosovë me euro.
Një ditë më herët, Kurti u takua me ambasadorët e akredituar në Kosovë. Në takim, sipas një njoftimi, ai u shpreh i gatshëm të adresojë “në mënyrë të shpejtë” shqetësimet lidhur me vendimin e BQK-së për pagesat.
Faktori ndërkombëtar ka shprehur shqetësime për ndikimin që mund të ketë kjo rregullore te komuniteti serb në Kosovë, pasi ata që nga paslufta kanë përdorur monedhën kombëtare të Serbisë. Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.