Më 6 tetor populli i Kosovës i flaku tutje iluzionet dhe e rifitoi ëndrrën
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti po realizon një vizitë në Londër, ku në mbrëmjen e sotme ka zhvilluar një takim me bashkatdhetarët që jetojnë në Britani të Madhe.
Pretendenti i LVV-së për kryeministër të Kosovës, gjatë vizitës po shoqërohet edhe nga kandidatet për deputete Saranda Bogujevci dhe Fitore Pacolli.
Ai tha se fitorja e tyre në Kosovë, ka jehonë edhe më të gjerë se sa vetëm Republika e Kosovës, apo kombi shqiptar.
“Është dëshmuar se insistimi shumë vjeçar, shpaguhet atëherë kur je bashkë me qytetarët dhe e mban interesin e përgjithshëm mbi interesin e veçantë. Që do të thotë se e mban idealin dhe moralin në politikë. Unë nuk mendoj që ëndrra dhe realiteti janë të kundërta dhe as në kundërthënie me njëra tjetrën. E kundërta e ëndrrave nuk është realiteti, por iluzionet. Pra nëse shqiptarëve në periudha të caktuara historike, iu kanë munguar ëndrrat, kjo sepse iu kanë tepruar iluzionet. E përfundimit më 6 tetor, populli i Kosovës, bashkatdhetarët tanë që votuan, qoftë me postë, qoftë duke ardhur në vendlindje, i flakën tutje iluzionet dhe e rifituan ëndrrën. Duke e rifituar ëndrrën, ata janë fare pran ndryshimit të realitetit, e për këtë gjë nevojitet një qeveri e re, çfarë do të jetë ajo e opozitës së deridjeshme, e me udhëheqjen e Vetëvendosjes, për t’i realizuar ëndrrat e mira të qytetarëve tanë të Republikës”, tha mes tjerash Kurti.