Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përmendur çështjen e spastrimit etnik administrativ të shqiptarëve në Luginën e Preshevës gjatë takimit që ka pasur të hënën me zëvendës ndihmëssekretaren e SHBA-së nga Bryoja për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë, Nicole Chulick.
“Në këtë takim, ai gjithashtu i shprehu zëvendës ndihmës Sekretares brengën e tij në lidhje me spastrimin etnik administrativ të shqiptarëve që po ndodh në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nga autoritetet e Serbisë. Kryeministri e falënderoi zëvendës ndihmës Sekretaren Chulick për vizitën, takimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Kryeministria.
Në takim ishte edhe zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi. Rexhepi nënvizoi se Kosova është shteti multietnik dhe se qeveria po angazhohet t’i fuqizojë komunitetet joshumicë.