Fjalë Kyçe

Kurti nuk do t’ia dorëzojë detyrën Hotit, reagojnë analistët

Kurti nuk do t’ia dorëzojë detyrën Hotit, reagojnë analistët

Analisti Fidan Rama ka komentuar zhvillimet e ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës. Rama në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini thotë se pavarësisht rezultatit të ngushtë, partnerët e koalicionit nuk do të shkonin në seancë pa u siguruar se i kanë numrat.

“Partnerët e koalicionit duhet se kanë punuar tërë natën që të kenë numrat në Kuvend. Kjo u pa edhe nga deklaratat e deputetit Haxhi Shala”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Analisti thotë se ka dyshime për arsyet e paraqitura nga Donika Kadaj-Bujupi sa i përket votës së saj kundër Qeverisë Hoti.

“Ne e dimë që dialogun nuk e bën vetëm zoti Hoti, por aty është edhe partia e saj. Pra aty brenda është AAK që ka mundësi të dirigjojë dialogun. E dyta. Kadaj-Bujupi përmend që LDK ka anashkaluar Vjosa Osmanin si më e votuara në LDK. Deputetja në fjalë thua se po jeton në Gjermani dhe nuk e njeh pozicionin e Vjosa Osmanit. Jam i bindur që edhe po t’i ofrohej posti i kryeministrit zonjës Osmani ajo nuk do ta pranonte”.

Duke folur për qëndrimin e deputetit Haxhi Shala, Rama ka thënë se ai ka dhënë një mesazh të çartë për raportet e tij me NISMA-n. Rama e konsideron lëvizje të befasishme heshtjen e Lëvizjes Vetëvendosje në ditën kur u zgjodh qeveria e Avdullah Hoti.

Ai thotë se edhe vendimi i Kurtit për të mos qenë i pranishëm në pranim-dorëzimin e detyrës nuk është shembull i mirë pasi sipas tij një rotacion pushteti mund të ndodh përsëri.

Analisti ka kritikuar edhe vendimin e Vjosa Osmanit për të mos drejtuar seancën e Kuvendit. “Ky pozicion i saj është sa i pakuptimtë aq edhe skandaloz…Tek e fundit ajo paguhet për drejtimin e seancës. Nuk po mundem ta kuptoj pse ajo rreshtohet pas çdo pozicionimi të Vetëvendosjes”, tha ndër të tjera Fidan Rama.