Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti me një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook, njofton për anëtarësimin e të riut, Hajrulla Çeku.
Kurti shpalos shkollimin , aftësimin e Çekut dhe angazhimin e tij në çështjet e trashëgimisë kulturore, turizëm dhe planifikimit urban dhe mjedisit, shkruan Gazeta Alo.
Ky është postimi i tij i plotë:
Hajrulla Çeku ka studiuar Shkencë Politike në Universitetin e Prishtinës dhe ka magjistruar në Qeverisje dhe Zhvillim Lokal në Universitetin e Trentos, Itali, dhe Universitetin e Regensburgut, Gjermani.
Njihemi kaherë por tash do të punojmë bashkë në Lëvizje. Sot isha në Prizren ku na gëzoi e nderoi me anëtarësimin e tij në VETËVENDOSJE!.
Për 15 vjet ka qenë pjesë e shoqërisë civile i angazhuar në çështje të trashëgimisë kulturore, turizmit, planifikimit urban dhe mjedisit. Hajrullau ka qenë i përfshirë në shumë nisma qytetare për mbrojtjen e strukturës urbane të qyteteve të Kosovës, si në Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Vushtrri dhe të tjera. Qasja komunitare dhe fuqizimi i grupeve të pambrojtura dhe pa zë kanë qenë shtylla të veprimtarisë së tij.
Hajrullau ka pëfunduar disa programe ndërkombëtare të aftësimit në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, të drejtat e njeriut, menaxhimin e turizmit, shkathtësitë e lidershipit në Shtetet e Bashkuara të Bashkuara, Maltë, Gjermani dhe Francë. Ka qenë pjesë e projekteve hulumtuese dhe ka publikuar gjerësisht mbi qeverisjen dhe zhvillimin lokal, menaxhimin e trashëgimisë kulturore, planifikimin urban, aktivizmin dhe zhvillimin e shoqërisë civile. Rishtazi ka shërbyer edhe në qeverinë e Shqipërisë në cilësinë e zëvendës ministrit të turizmit dhe mjedisit.
Me dijen e përvojën, kulturën e ndershmërinë e Hajrullaut jemi edhe më të sigurt, edhe më të fuqishëm. Më afër se kurrë, shpejt si asnjëherë, 6 tetorit 2019, kur zgjedhja dhe festa bëhen bashkë me emrin e Lëvizjes sonë, e me të ardhmen e vendit tonë.