Fjalë Kyçe

Kurti për Le Monde: Kur do të jetë Serbia e gatshme ta njohë Kosovën?

Kurti për Le Monde: Kur do të jetë Serbia e gatshme ta njohë Kosovën?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se prioriteti i tij diplomatik është të fitojë njohje nga Serbia, diçka që Beogradi vazhdimisht e ka refuzuar.

Ai në një intervistë për gazetën e njohur franceze, “Le Monde”, ka thënë se ai me Vuçiq nuk do të bisedojë për statusin e Kosovës, duke thënë se kjo është një çështje e zgjidhur.

“Ky është takimi i parë për një dialog të ardhshëm. Nuk ishte i lehtë, por ishte konstruktiv. Unë insistova në faktin se asgjë nuk duhet të fshihet nën qilim, që do të thotë që çështja e njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të trajtohet sinqerisht. Ne të gjithë kemi nevojë për këtë njohje të ndërsjellë. Z. Vuçiq u përgjigj se ai kurrë nuk do ta njihte Kosovën. Mos pranimi i realitetit nga njëra anë, as e vërteta nga ana tjetër, vjen nga e njëjta logjikë. Serbia tani duhet të distancohet nga ditët e [Sllobodan] Millosheviqit, që filluan me aparteidin dhe përfunduan me gjenocid në Kosovë. Udhëheqësit e Serbisë duhet të largohen nga trashëgimia e Millosheviqit”.

“Pavarësia e Kosovës është trembëdhjetë vjeçare. Ne nuk mund të kemi bisedime si para vitit 2008. Që nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në 2010, i cili vërtetoi që deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte ligjin ndërkombëtar, ky debat është mbyllur. Unë nuk do të bisedoj për statusin e Kosovës, kjo është një çështje e zgjidhur. E vetmja temë sot janë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vuçiqi duhet ta kuptojë këtë. Sidoqoftë, Vuçiqi ende e konsideron Kosovën si një territor që Serbia duhet një ditë ta rimarrë, pa ndonjë konsideratë për njerëzit e saj, qytetarët e saj. Serbia duhet të përballet me të kaluarën e saj dhe të demokratizohet”, ka thënë Kurti për Le Monde, transmeton Klankosova.tv.