Fjalë Kyçe

Kurti për mandatarin: Më e rëndësishme pandemia, nuk kemi kohë për çështje politike

Kurti për mandatarin: Më e rëndësishme pandemia, nuk kemi kohë për çështje politike

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë një vizitë zyrtare në qytetin e Gjilanit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë qëndruar për një vizitë zyrtare në Gjilan.

Kurti është takuar me kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri dhe me pjesëtaret e stafit emergjent, ku edhe është njoftuar nga afër për të gjitha problemet që po ballafaqohet kjo komunë gjatë kohës së pandemisë.

Kurti nga Gjilani ka bërë të ditur se prilli është muaji vendimtar dhe sipas tij, duhet të dilet sa më shpejt nga kjo situatë, raporton lajmi.net.

Kurti nuk ka pranuar që të tregojë se kur pritet ta dërgojnë emrin e mandatarit te presidenti, Hashim Thaçi, duke thënë se nuk është koha për probleme politike.

“Jam shumë i vullnetshëm si kryeministër në detyrë që të mos shpërqendrohemi nga temat e tjera sepse nuk mund të ketë prioritet tjetër përveç shëndetit të qytetarëve. Takimet do të jenë ekskluzivisht për çështjet e pandemisë, përkatësisht përhapjes së saj. Andaj nuk kemi kohë për të humbur për çështjet politike. Ne tash jemi të angazhuar maksimalisht në luftimin e pandemisë dhe nëse do të shpërqendroheshim në çështjet e tjera do ta dobësonim”, u shpreh ndër të tjerash Kurti.

Në anën tjetër, i pari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se Kurtin dhe Vitinë i ka njoftuar për të gjitha problemet që po ballafaqohet komuna që ai e udhëheq gjatë kohës së pandemisë me COVID-19.