Kryeministri Albin Kurti ka folur sot në takimin me kryetarët e komunave, lidhur me procesin e regjistrimit të popullësisë, ekonomive familjare dhe banesave, që ka filluar sot e do të zgjasë deri më 17 maj.
Kurti tha se cilësia e të dhënave nga pyetësorët janë vendimtare për cilësinë e qeverisjes, si qendrore ashtu edhe lokale.
Ai përmendi se si për herë të parë është përfshirë edhe pyetësori për dëme nga lufta.
“Angazhimi ynë i përbashkët është i domosdoshëm për të adresuar nevojat e qytetarëve pa dallim dhe është baza për vendime të cilat do të ndikojnë në të ardhmen e Kosovës. Cilësia e të dhënave nga pyetësorët është vendimtare për cilësinë e qeverisjes, si qendrore ashtu edhe lokale, për planifikim e zbatim më të drejtë e suksese e arritje edhe më të mëdha”, deklaroi Kurti.
Kurti tha se këto të dhëna do të ndihmojnë në orientimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët.
“Regjistrimi i popullësisë, ekonomive familjare dhe banesave në Republikën e Kosovës ka filluar sot. Të dhënat mbi madhësinë, shpërndarjen dhe përbërjen e popullësië, kushtet e jetesës e nivelin e edukimit do të na ndihmojnë në orientimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët, neve si qeveri, ju si komuna dhe çdo institucioni të Republikës sonë. Po e mbështesim ASK’në, që është njëherit bartës i projektit të regjistrimit, me qëllim që regjistrimi të jetë cilësor, profesional dhe gjithpërfshirës”, tha Kurti.
Ai kërkoi bashkëpunim mes Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe komunave të vendit.
“Por, në mënyrë që te jëtë i plotë suksesi i këtij procesi me rëndësi qenësore për zhvillimin socio-ekonomik, nevojitet bashkëpunim i ngushtë edhe mes Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe komunave. Andaj, sërish bëj thirrje për përkushtim dhe angazhim të përbashkët në një ndërmarrje tejet të rëndësishme tejet institucionale te vendit tonë”, shtoi Kurti.