Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në zyrën e tij deputetët e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Martin Vickers nga radhët e Partisë Konservatore dhe Stephen Doughty, Alex Sobel dhe Luke Pollard nga radhët e partisë Laburiste njofton zyra e Kryeministrit.
Ata janë pjesë e delegacionit nga Unioni Ndërparlamentar Britanik të cilët po qëndrojnë në Kosovë në një vizitë zyrtare. Deputetët Doughty, Sobel dhe Pollar njëherit janë edhe anëtarë të kabinetit nën hije të Partisë Laburiste.
“I nderuar nga vizita e tyre në Kosovë, kryeministri Kurti tha se Britania e Madhe është mike, partnere dhe aleate e rëndësishme e Republikës së Kosovës dhe popullit të saj. Nyje e fortë e lidhjes ndërmjet Kosovës dhe Britanisë së Madhe është intervenimi i NATO-s, në vitin 1999. 23 vjet më pas, Kosova është tregim i dyfishtë i suksesit. Së pari, sukses i ndërhyrjes perëndimore dhe NATO-s për të ndaluar gjenocidin serb. Dhe së dyti, është dëshmi që zhvillimi ekonomik dhe demokracia cilësore funksionojnë krah për krah. Ai tha se është shumë e rëndësishme që të mbrohet rrëfimi i ndërhyrjes së suksesshme të NATO-s në Kosovë, sepse kështu mbrohet edhe historia e NATO-s”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.