Fjalë Kyçe

Kurti rrëfen për kohën e kaluar në burg

Kurti rrëfen për kohën e kaluar në burg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuari i fundit në podcastin e njohur “The Rest is Politics“, i drejtuar nga ish-diplomati Rory Stewart dhe ish-këshilltari i komunikimit të Tony Blair, Alastair Campbell.

Stewart, i cili ka një përvojë të gjatë në Ballkan, ka folur për takimet e tij me Kurtin rreth dy dekada më parë, ndërsa Campbell ka konsultuar në rajon pas karrierës së tij me Blair, duke punuar me personalitete si Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq.

Kurti, gjatë këtij podcasti, ka ndarë përvojat e tij tragjike të kaluara në burgjet e Serbisë gjatë bombardimeve në Kosovë.

“Më 10 qershor 1999, kur Serbia po tërhiqte policinë e forcat ushtarake, në konvoj vendosën autobusë të kuq me të burgosur politikë shqiptarë në mes të tyre, që NATO-ja të mos bombardonte. Na përdorën si mburojë. U transferova në burg në Pozharec nga Lipjani, e Pozhareci ishte vendlindja e Millosheviqit. Kalova total 2 vjet e 7 muaj në burg. Një vit e 5 muaj gjatë Millosheviqit, 1 vjet e dy muaj në periudhën e Koshtunicës”.

“Në burg kishte kohë të bollshme për të lexuar. Ishte një mjedis ideal për të qenë i përqendruar në libra, larg distraksioneve si telefoni celular apo pije të tjera”, rikujton Kurti.

“Po ashtu, interaksioni im me njerëzit që vinin nga zonat rurale ishte i pavlerësueshëm; më mësoi të organizoj dhe të komunikoj më mirë me njerëzit kur dola lirisht. Nga kjo përvojë lindi ideja për të formuar organizatën që drejtoj sot.”

Gjatë bisedës, Kurti nxori në pah edhe pasojat e rënda fizike të kohës që kaloi në burg. Ai tha se kishte humbur 30 kilogramë dhe se kishte pësuar tortura të ashpra.

“E humba vetëdijen afro 40 herë gjatë torturave, pra nuk kishte as gjasa të imagjinoja se do të dilja gjallë. Atje po na rrihnin të gjithë të burgosurve shqiptarë, nuk isha vetëm unë. Kishte mijëra shqiptarë. Për të mbijetuar nga torturat duhet të kesh edhe fat. Pashë njerëz që vdiqën pas 5 minutave të rrahjeve e torturave, e pashë njerëz, këtu përfshihem edhe unë, që u rrahëm shumë e dolëm gjallë. Nuk ishte në dorën tonë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri foli edhe për kritikat që ka marrë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për çështjen e “dinarit”.

“Së pari nuk më pengojnë kritikat…Kritikat janë të shëndetshme. S’ka progres pa kritika. Mund të mos pajtohemi, por SHBA-ja, BE-ja dhe Britania e Madhe janë aleatët tanë, miqtë dhe partnerët tanë. Nuk do të thotë se bashëpunimi ynë është rrugë njëkahëshe. Duhet ta dëgjojmë njëri-tjetrin”.

Dhe në këtë kuptim, besoj se duhet ta mbroj Kosovën, duhet ta përfaqësoj më mirë edhe se aleatët tanë. Nuk do të isha kryeministër nëse Kosova s’do të ishte Republikë dhe nuk është vetëm pjesërisht e njohur, por nga 117 shtete nëpër botë, 22 nga 27 shtete anëtar të BE-së dhe 26 nga 30 shtete anëtare të NATO-s…Po ashtu Kosova e ka marrë organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 së bashku me Durrësin”, tu shpreh Kurti.