Fjalë Kyçe

Kurti shpall fitoren: Unë kryeministër, me LDK-në kurorëzojmë ndryshimin

Kurti shpall fitoren: Unë kryeministër, me LDK-në kurorëzojmë ndryshimin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpallur fitoren e subjektit të tij pak para se t’i bashkohej festës në sheshin “Skënderbeu”. Para selisë qendrore të VV-së, Kurti tha se këto zgjedhje janë historike të cilat e çlirojnë Kosovën për së brendshmi nga uzurpatorët e ngjyrave dhe krahëve të ndryshëm.

Ai tha se e gjithë angazhimi dhe sakrifica ia ka vlejtur për popullin dhe nga nesër fillon puna për të formuar qeverinë e re e cila do të punojë për të mirën e vendit dhe të rikuperojë, sipas tij, kohën e humbur nga të tjerët.Kurti e përsëriti se nga nesër do të fillojë kontaktet me Lidhjen Demokratike te Kosovës në mënyrë që të formohet qeveria e re dhe të kurorëzohet ndryshimi.“Qysh nesër do të vendosi kontakte me Lidhjen Demokratike të Kosovës në mënyrë që me subjektin me të cilin ishim në opozitë ta kurorëzojmë ndryshimin që të bëhemi qeveri. Kur opozita bëhet qeveri atëherë kurorëzohet ndryshimi. Ndërkohë që ndryshimi politik tashmë ka ndodhur dhe mban datën e 6 tetorit 2019. Shumë brez e gjenerata do ta kujtojnë këtë datë si festë të demokracisë si festë, si datë e çlirimit të brendshëm nga uzurpatorët e krahëve të ndryshëm por që na e dobësuan shtetin e kapën atë”, tha Kurti.

I pyetur nëse Lëvizja Vetëvendosje do të pranonte një tjetër partner në koalicion për të qeverisur përpos LDK-së, Kurti tha se nuk do të hedhin hapa të shpejtë dhe se fillimisht do të diskutohet me Lidhjen.Ai shtoi se gjatë kohës që ishin në opozitë kanë pasur bashkërendim të aktiviteteve, porse për fatin e keq ajo nuk u konkretizua në një koalicion parazgjedhor.“Me Lidhjen Demokratike të Kosovës kemi pasur bashkërendim të mirë opozitar, është për të ardhur keq që nuk e shndërruam në projekt të përbashkët me koalicion parazgjedhor siç pata propozuar unë, megjithatë jemi ku jemi dhe unë ua shtrij dorën e bashkëpunimit si kryeministër i Kosovës pas këtyre zgjedhjeve me peshë historike”, tha ndër të tjera Kurti.