Fjalë Kyçe

Kurti takon ambasadoren kroate në Kosovë, bisedojnë rreth krijimit të institucioneve të reja

Kurti takon ambasadoren kroate në Kosovë, bisedojnë rreth krijimit të institucioneve të reja

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka pritur sot në takim ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barisic.

Në njoftimin e bërë nga LVV thuhet se “kryeministri në ardhje, Albin Kurti, bashkë me deputetin e legjislaturës së re, Xhelal Sveçla, deputetin e IRDK-së që njëherit ka qenë edhe anëtarë i grupit ndërparlamentar për miqësi me Kroacinë, Elbert Krasniqi, dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj, priti në takim ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić, të shoqëruar nga sekretari i parë i kësaj ambasade, Mladen Delivuk”.

LVV bën të ditur se në takim është biseduar për formimin e institucioneve të reja në vend.

“Ambasadorja, znj. Barišić e uroi kryetarin Kurti për fitoren në këto zgjedhje dhe i dëshiroi sukses të mëtejmë në punën e tij drejt formimit të institucioneve të reja në vend. Ajo ritheksoi përkrahjen e shtetit kroat për Kosovën dhe rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në institucione ndërkombëtare. Kryeministri në ardhje, Albin Kurti, e falënderoi për urimin dhe ndau vlerësimin e lartë për marrëdhëniet politike e diplomatike midis dy shteteve tona duke potencuar se ato vetëm sa do të thellohen edhe më tutje me qeverinë e re”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Kurti e ka njoftuar ambasadoren për prioritetet që i ka LVV.

“Ai po ashtu e njoftoi ambasadoren znj. Barišić me disa prej prioriteteve kyçe që i kanë dhënë Lëvizjes VETËVENDOSJE! mandat të fuqishëm në këto zgjedhje, e që janë punësimi, drejtësia dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë. Progresi në këto fusha është parakusht për një shtet stabil dhe funksional, theksoi Kurti. Në fund, të dy ndanë bindjen që marrëdhëniet e mira bilaterale mes dy shteteve tona do të rriten e zgjerohen edhe më tej në të ardhmen”.