Kryeministri i vendit, Albin Kurti bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pritur në takim përfaqësues nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
Kryeministri e përgëzoi Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe aktivisten Feride Rushiti për suksesin e nominimit për Çmimin Nobel për Paqe, nominim, i cili u bë nga deputeti i Parlamentit suedez, Magnus Jacobsson.
“Kryeministri shprehu gatishmërinë për mbështetjen e parezervë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për këtë nominim”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Kryeministri vlerësoi punën e çmueshme të QKRMT-së, duke veçuar rëndësinë e grumbullimit të bazës së të dhënave dhe dëshmive të të mbijetuarve të torturës e dhunës gjatë luftës në Kosovë.
Ndërkaq, ministrja Haxhiu theksoi se ky nominim vjen si rrjedhojë e punës së madhe të organizatës dhe përfaqësuesve të saj për adresimin e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, si dhe shtoi rëndësinë e vazhdimit e fuqizimit të bashkëpunimit të Ministrisë së Drejtësisë me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.