Fjalë Kyçe

Kurti tha se shkon ku e thërrasin, Jasharaj: Merre Nagavcin e Muratin e eja për çaj

Kurti tha se shkon ku e thërrasin, Jasharaj: Merre Nagavcin e Muratin e eja për çaj

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i cili një ditë më parë gjatë një tubimi në Prishtinë për zgjedhjet Luginë të Preshevës tha se shkon aty ku e thërrasin.

Jasharaj e ka ftuar Kurtin bashkë me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati, që javën e ardhshme të shkojnë për kafe e çaj në SBASHK.

“E pata vështirë të besoj dhe prandaj e dëgjova disa herë dhe pastaj po ashtu disa herë e lexova me kujdes dhe u binda Kryeministri e paska thënë se shkon aty ku e thërrasin. Ky deklarim i tij më bëri që ta kritikoj kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykolli, por edhe të bëhem vetëkritik.

Ne i kemi dërguar dhjetëra kërkesa Kryeministrit në emër të BSPK-së dhe më shumë kërkesa ministres Nagavci për takime e për të bashkëbiseduar për gjithë shqetësimet dhe kërkesat e anëtarësisë, por u kemi thënë se takimet t’i mbajmë të ata dhe meritojmë kritika se e paskemi harruar traditën shqiptare të mikpritjes dhe në shkresat tona për takime as edhe një herë nuk u kemi thënë ejani te ne.

Tani kur e mësova këtë dëshirë të Kryeministrit dhe Qeverisë së tij se duhet t’i thërrasin se kafe e çaj kemi edhe ne, publikisht po i drejtohem Kryeministrit Kurti që ta marr ministren Nagavci e ministrin Murati dhe të vijnë javën e ardhshme në SBASHK”, shkroi ai.

Ndryshe, Kurti gjatë ditës së djeshme ka marrë pjesë në një tubim të preshevarëve, ku ka kërkuar votë për këshilltaren e tij, Ardita Sinani dhe këshilltarin e Besnik Bislimit, Ragmi Mustafa.

Ai është shprehur se shkon aty ku ftohet, duke theksuar se Sinani dhe Mustafi e kishin ftuar atë.

“Kemi nevojë për votën tuaj. Më kanë thënë që nuk bën të marrë pjesë vetëm tek dy kandidatët. Unë shkoj aty ku më thërrasin. E falënderoj Ardita Sinanin dhe Ragmi Mustafin që më kanë ftuar. Aty ku është Lugina bashkë, aty unë jam bashkë me Luginën. Le të ngrihemi së bashku a t’i mbështesim këta kandidatë që duhet ta shpijnë përpara edhe pozitën e qytetarëve atje edhe ëndrrat e rinisë që ka të drejtë më shumë e meritojnë më tepër”, ka thënë Kurti.