Fjalë Kyçe

Kurti thotë se bashkë me Osmanin do të fitojnë 50 për qind të votave

Kurti thotë se bashkë me Osmanin do të fitojnë 50 për qind të votave

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shprehur i bindur se partia e tij dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani do t’i marrin më shumë se 50 për qind të votave, në zgjedhjet e radhës në Kosovë.

“Do të bëjmë çmos që t’i kemi 50 për qind e më shumë. Besoj që është e realizueshme ne bashkë me z. Osmani. Ama, më duhet ta them edhe një gjë: Jemi në hall, me kënd të bësh koalicion”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se njëherë “ka bërë koalicion me këta”. “Çka janë këta njerëz që çojnë mesazhe: Dola prej koalicionit unë, s’po mund ta mbaj presionin. Çfarë të bësh me këta njerëz”, ka thënë ai në KTV.

Kurti në vijim ka përmendur sfidat e shumta me të cilat përballet Kosova. “Katërfish më shumë, burrat gjejnë vend pune krahasuar me gratë, edhe pse gratë kanë më shumë përgatitje universitare sesa burrat. Çfarë shifrash sociale i ke në Kosovë: mjerim. E ai më thotë; Po dal unë prej koalicionit”, ka thënë Kurti, duke treguar se fjalën e ka për “profesor Mustafën”.

Ai është shprehur i bindur që në zgjedhjet e ardhshme, partia e tij do ta dyfishojë numrin e votave.

“Në fund unë besoj që do të dyfishohet rezultati i 6 tetorit dhe këtë dyfishim nuk e mendoj vetëm për Lëvizjen Vetëvendosje, por edhe për kryeparlamentaren Osmani. Tash varet edhe nga forma e angazhimit të saj, por në parim populli dëshiron që 6 tetorin ta konfirmojë dhe ta dyfishojë”, ka thënë ai.

I pyetur nëse beson që një pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës mund të ndahet, për ta formuar një parti të re që do të bëhej aleat i Vetëvendosjes, Kurti ka thënë: “Nuk e di se si do të shkojnë aty zhvillimet, por e di një gjë, se baza dhe konjuktura udhëheqëse kurrë s’kanë qenë më larg në LDK”.

Ai ka thënë se partia e tij e ka kaluar LDK-në të 17 nëntorit të vitit 2001 në zgjedhjet e asokohshme, kur Lidhja Demokratike i fitoi rreth 47 për qind të votave.

“46.2 për qind i kanë pasur dhe ne sipas sondazheve i kemi kaluar. Në sondazhin më të dobët për neve jemi 48 për qind. LDK-në e paraluftës nuk e kemi kaluar, por LDK-në e pasluftës ne e kemi kaluar. E për këtë LDK-në e sotme, kjo është e pallogaritshme”, ka thënë ai.

Ai po ashtu e ka përmendur procesin e zgjedhjeve të brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Po e bëjmë si një provë këtë çështjen e zgjedhjeve. Do të dëshmojmë që është e mundshme të mbahen, me maska e me dezinfektues. Prej Koresë së Jugut që mbajti zgjedhje e deri te vendet ballkanike, u pa që është e realizueshme një gjë e tillë. Dhe, unë mendoj që duhet të mbahen zgjedhjet”, ka thënë ai.

Por, sipas Kurtit duhet të kuptohet një gjë: “Edhe LDK-ja e edhe PDK-ja nuk janë as në një të tretën e mbështetjes së Lëvizjes Vetëvendosje”.

“Ata i dijnë këto sondazhe dhe prandaj nuk i duan zgjedhjet”, ka thënë ai.