Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se nuk i nënçmon bisedimet me Serbinë por nuk mund t’i shndërrojë ato në përparësi të punës së qeverisë së ardhshme.
Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Kurti renditi ndër synimet e para projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe atë anti-mafia.
Kurti, fitorja juaj në zgjedhjet e së dielës e bën të lehtë formimin e qeverisë, cilat janë punët e para që e presin realisht qeverinë tuaj?
Kurti: Së pari ne do të duhet që të krijojmë një kabinet të vogël qeveritar, të vazhdojmë punët e mira që i kemi filluar në pranverën e vitit 2020 dhe shumë të tjera të cilat janë edhe më të mira. Duhet të fillojmë me projektligjin për mërgatën tonë që duhet të ketë të drejtë të votojë në ambasada dhe konsullata, gjithashtu duhet të fillojmë edhe me projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe atë anti-mafia, duhet t’i kthejmë terminalet doganore që u janë dhënë kompanive private në shtet, e gjithashtu janë një mori vendimesh të qeverisë e cila doli të ketë qenë edhe jo kushtetuese, përveç se jo legjitime, e të cilat duhet t’i anulojmë. Por në përgjithësi, prioritetet tona janë drejtësia dhe punësimi, me ç’rast kurrë nuk duhet të harrojmë pandeminë COVID-19 e cila nuk ka shkuar.
Zëri i Amerikës: Cila do të jetë mënyra e përballjes suaj me pandeminë? Edhe kur jeni rrëzuar nga qeveria në pranverë ka qenë në mes të pandemisë, kjo pandemi është ende këtu prandaj si do të përballeni me të?
Kurti: Ne kemi qenë qeveria e cila e ka menaxhuar në mënyrë shembullore pandeminë në pranverën e vitit të kaluar dhe për këtë jemi lavdëruar jo vetëm në Evropë. Me 24 maj të vitit 2020 nuk ka pasur asnjë rast të ri të infektuar në Kosovë, pra me mbylljen që patëm bërë ne dhe hapjen e mençur graduale, patëm arritur që me 24 maj ta zbresim në zero numrin e të infektuarëve të ri. Në dy javët e fundit kur unë kam qenë në detyrë, të cilën e kam përfunduar me 3 qershor, ka pasur 139 raste të reja në dy javët e fundit dhe vetëm një i vdekur. Me tre qershor, kur e kam liruar zyrën, kanë qenë 30 të vdekur. Sot jemi të shifra diku 1550, pra mbi një mijë e 500 që atëherë. Kishim një datë të zezë diku në gushtin e vitit të kaluar, nëse mbaj mend mirë ishte 7 gusht, me 215 të infektuar në ditë dhe me 16 të vdekur. Ne do të nxjerrim mësimet nga qeverisja jonë shembullore në menaxhimin e pandemisë dhe nga keqqeverisja e pastajme, por synimi jonë do të jetë alokimi i fondeve, programacioni i prioriteteve për shtresat shoqërore për vaksinim të rreth 60 për qind të popullsisë në këtë vit.
Zëri i Amerikës: Si mendoni ta realizoni këtë, ku do t’i merrni vaksinat duke pasur parasysh se tash ka një diplomaci vaksinash në botë që është mjaft e ashpër?
Kurti: Ne këtë e shohim plotësisht vetëm në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Do të ulemi me Brukselin dhe do të diskutojmë se si Kosova e cila ka një lidhje të fuqishme me Brukselin, pa çka se është larg integrimit dhe anëtarësimit atje, ta bëjë mënyrën më të mirë për vaksinim sa më të madh dhe më të shpejtë.
Zëri i Amerikës: Ka pasur një ofertë nga Beogradi që t’i ndihmojë Kosovës me vaksina meqë Serbia është shumë përpara në rajon me këtë proces. Jeni i gatshëm për këtë apo a do ta pranonit një ndihmë të tillë?
Kurti: Këtu janë dy probleme; së pari raporti i Serbisë me Kosovën është një raport i agresionit diplomatik në rastin më të mirë, në rastin më të keq është më shumë se kaq, janë sulme të ndryshme edhe kriminale që bëhen në Kosovë nga strukturat e saj. Në anën tjetër është edhe aspekti i alencave globale ku ne fare nuk pajtohemi me Serbinë ajo çdo herë e më shumë po i forcon lidhjet me federatën ruse dhe me Kinën, që ne nuk i shohim në të ardhmen si partnerë apo aleat tanë. Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-ja, ky është orientimi ynë çdo herë për gjithçka.
Zëri i Amerikës: Në pranverë kur ju ishit kryeministër morët rreth një mijë teste nga Serbia, ku është dallimi? Nëse i keni pranuar ato pse jo vaksinat?
Kurti: Atëherë ishin një mijë teste në një situatë të paparë humanitare, të rrezikimit të shëndetit të përgjithshëm të popullsisë dhe ne e kemi bërë atë në mënyrë që në njërën anë i kemi marrë si shtet. ku nuk do të ju ndahen vetëm njerëzve sipas përkatësisë kombëtare në Kosovë, dhe në anën tjetër ka qenë një dialog me ministrin e shëndetësisë nga Serbia i ministrit tim (Arben) Vitia, ku rezultati ishte fantastik – gjysmë milionë euro ndihmë për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin. Ajo ishte një kurthë në të cilën ne nuk kemi rënë. Po të mos i merrnim ne ato një mijë teste, atëherë do të propagandohej një krizë humanitare te serbët në Kosovë e cila sigurisht që ishte inekzistente dhe ne kemi vepruar në mënyrë të mençur.