Fjalë Kyçe

Kurti: Urgjentisht të hetohen informacionet mbi vrasjen dhe zhdukjen e trupit të Ukshin Hotit

Kurti: Urgjentisht të hetohen informacionet mbi vrasjen dhe zhdukjen e trupit të Ukshin Hotit

Kreu i VV-së, Albin Kurti ka reaguar pas publikimit të disa dokumenteve zyrtare serbe të cilat zbardhin detaje mbi fatin e Ukshin Hotit.

Sipas këtyre dokumenteve Ukshin Hoti është vrarë, e më pas kufoma e tij është djegur me eksploziv dhe më tej është fshehur për të humbur gjurmët e krimit.

Kurti ka thënë se organet relevante në Kosovë (Ministria e Drejtësisë e Kryeministria, Departamenti për Krime Lufte i Prokurorisë Speciale, dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur), urgjentisht duhet të koordinohen dhe të marrin hapat e duhur që të përcaktojnë vërtetësinë e kësaj informate kaq të rëndësishme.

Sipas tij, informacione të tilla shkaktojnë dëm të vazhdueshëm emocional dhe psikologjik te familja e Ukshin Hotit, tek ata që e njohën dhe e duan, dëm ky që vjen direkt si rezultat i krimeve të kryera nga Serbia

Kurti ka thënë se është momenti i fundit që Kosova të tregojë seriozitetin e saj në raport me ballafaqimin me të kaluarën.

Reagimi i plotë:

Ka disa orë që në publik po qarkullon një dokument që thuhet se ka rrjedhur nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë. Sipas këtij dokumenti aludohet se Ukshin Hoti është vrarë, e më pas kufoma e tij është djegur me eksploziv dhe më tej është fshehur për të humbur gjurmët e krimit.

Janë të pamohueshme krimet makabre që Serbia ka kryer në Kosovë gjatë luftës. Por në këtë rast, organet relevante në Kosovë (Ministria e Drejtësisë e Kryeministria, Departamenti për Krime Lufte i Prokurorisë Speciale, dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur), urgjentisht duhet të koordinohen dhe të marrin hapat e duhur që të përcaktojnë vërtetësinë e kësaj informate kaq të rëndësishme.

Informacione të tilla shkaktojnë dëm të vazhdueshëm emocional dhe psikologjik te familja e Ukshin Hotit, tek ata që e njohën dhe e duan, dëm ky që vjen direkt si rezultat i krimeve të kryera nga Serbia. Kjo çka po i bëhet familjes Hoti me informacione të tilla, është viktimizim i vazhdueshëm. Familja dhe e gjithë shoqëria meriton përgjigje, ashtu siç meritojnë të gjitha familjet e secilit person që ende mungon.

Kosova duhet t’i ketë prioritet krimet e kryera gjatë luftës. Kjo situatë duhet të na kujtojë kolektivisht që është e papranueshme bërja e pazareve në bisedime me Serbinë, për më shumë që vijon të ngelet i pasqaruar fati i të zhdukurve. Është momenti i fundit që Kosova të tregojë seriozitetin e saj në raport me ballafaqimin me të kaluarën.