Kryeministri Kurti, në panelin e diskutimit mbi sfidat e sigurisë për Ballkanin Perëndimor, i organizuar nga instituti Chatham House
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk po e nënshkruan Marrëveshjen e Brukselit, me qëllim që sipas tij, ta lërë të hapur një mundësi për t’u kthyer në Kosovë. Ai ka bërë thirrje që marrëveshja të nënshkruhet urgjentisht.
Në panelin e diskutimit mbi sfidat e sigurisë për Ballkanin Perëndimor, i organizuar nga instituti Chatham House të hënën, Kurti ka shtuar se Bashkimi Evropian duhet të rishikojë me vëmendje reformimin demokratik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që sipas tij, të hiqet rreziku nga ndonjë tension i mundshëm.
“Nënshkrimi i Marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbsisë është më urgjent se kurrë. Marrëveshja që kemi s’është e plotë, pasi na duhet një marrëveshje bonafide (me mirëbesim v.j.) që të kemi legjitim dhe zbatim të saj. Duke mos e nënshkrua, Vuçiqi do ta mbajë të hapur opsionin e pushtimit të Kosovës. S’mund të shoh tjetër kuptim substancial të këtij refuzimi për nënshkrim, pos kësaj, ata duan të mbajnë të hapur këtë derë, që të kenë dritare të tjera për t’u kthyer dhe për të përsëritur agresionin”, është shprehur Kurti.
Sipas tij, Serbia është duke e shfrytëzuar agresionin në Kosovë në mënyrë që t’i mbajë raportet me Rusinë e Kinën.
“Serbia e përdor agresionin në Kosovë për t’i mbajtur raportet e mira me Rusinë e Kinën, pas të dyja janë agresore që s’i besojnë askujt e duhet t’ia dëshmojnë gjithmonë vetes. Pra, me agresionin ndaj Kosovës, Vuçiqi po përpiqet t’i mbajë raportet e mira me Kremlinin”, është shprehur ai.
Sipas Kurtit, Serbia ka bërë hapa prapa në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, por ka theksuar se “s’mund t’i mbajë prapa shtetet e rajonit”.
“Një shtet s’mund t’i mbajë prapa shtetet e tjera, Serbia po e mban rajonin prapa. Serbia e njeh de jure Bosnjën e Hercegovinën por jo de facto. Ashtu si edhe Malin e Zi”, ka shtuar kryeministri i Kosovës.
Kurti ka shtuar se marrëveshja me Serbinë e mundshme, por ka thënë se ajo duhet ta nënshkruajë atë.
“Ne kemi një marrëveshje të normalizimit me Serbinë, por duhet ta respektojmë dhe të zbatojmë. Në përshtypjen time, Serbia i thotë po marrëveshjes, por pa e nënshkruar”, ka thënë ai, duke potencuar se në Ballkanin Perëndimor “s’ka më nacionalizëm të masave si karburant për makineri lufte për diktatorët”.