Deputetja Mimoza Kusari-Lila ka thënë se Avdullah Hoti duhet të tregojë arsyen e vërtetë të shtyrjes së takimit në Shkodër ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
“Të jesh në krye të vendit në kohë krize, duhet të paktën të kesh empati për problemet që kanë qytetarët e atij vendi dhe të komunikosh hapur me qytetarët për limitet që i ke. Jo të jesh i mpirë nga dehja me pushtetin në njërën anë, ndërsa në anën tjetër të fshihesh prapa arsyetimeve boshe dhe prapa përgjegjësive të institucioneve tjera, e vetë nuk ke as transparencë dhe as llogaridhënie”, ka shkruar Kusari-Lila në Facebook.
Sipas saj Hoti nuk është i sinqertë as para popullit as para Kuvendit.
“Avdullah Hoti, tashmë e dëshmoi se nuk ka qëndrueshmëri në bindjet e veta, i ndryshon ato publikisht pa asnjë pendim dhe nuk është fare i sinqertë as para popullit dhe as para Kuvendit. Një bindje të njëjtë mosbesimi të krijon arsyetimi për shtyerje të mbledhjes së përbashkët midis dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë. Si t’i besohet arsyetimit të njeriut që deri më tani asnjë qëndrim nuk e mbajti, as brenda tre muajve të një mandati”, ka thënë ajo. “Kryeministri, para se të mundohet të fshihet prapa Kuvendit, sikur me dështimin e Qeverisë me pakon e rimëkëmbjes, është mirë të mos e arsyetojë shtyerjen e mbledhjes së dy qeverive me seancën e Kuvendit”.
Kusari-Lila shton se, “Jemi mësuar Kuvendi me karriget e Qeverisë bosh, e vazhdojmë agjendën e mbetur edhe pa ta. Ndërsa, ata të vazhdojnë takimin e dy qeverive, përveç nëse nuk është arsyeja e shtyrjes diku tjetër?! E në atë rast, është më mirë të tregojë hapur, çka e bëri të shtyhet mbledhja në Shkodër?”.