Fjalë Kyçe

Kusari Lila, opozitës: ZRRE-ja ju kërkoi të mos merreni me komente politike por dokumente zyrtare

Kusari Lila, opozitës: ZRRE-ja ju kërkoi të mos merreni me komente politike por dokumente zyrtare

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, ka kritikuar opozitën e cila ka kërkuar anulimin e vendimit të ZRRE-së lidhur me rritjen e çmimit të rrymës, shkruan Reporteri.net.

“Në raport me propozimin e PDK-së i mbështetur nga LDK-ja, do t’i them disa fakte”, u shpreh ajo.

“ZRRE-ja ka hapur periudhën e konsultimeve, asnjëra prej tyre nuk ka dërguar raportet e tyre në raport me kërkesën e ZRRE-së. Ajo çka po propozohet mund të hidhet në votim. ZRRE-ja është konsultuar kur e keni pasur në komisionin për ekonomi, të mos merren me komente politike por me dokumente zyrtare dhe ligjin mbi rregullatorin. ZRRE-ja ka marrë vendimin konform afateve kohore. Janë mekanizmat tjerë që mund të ndikojnë në zbutjen e rritjes së çmimit. Ajo çfarë po tentohet këtu, është shkelje e ligjit mbi rregullatorin”, tha Kusari Lila.

Kusari Lila tha se opozita, në afatet kohore, nuk ka pasur interesim të veprojë sipas rregullave për të ndikuar në këtë vendim.

Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike, ka reaguar dhe ka demantuar Kusarin Lilën, duke i thënë se kjo parti i ka dërguar komentet e veta në ZRRE.