Fjalë Kyçe

Kusari-Lila: Pala kosovare nuk e ka idenë në raport me dialogun dhe të ardhmen e tij

Kusari-Lila: Pala kosovare nuk e ka idenë në raport me dialogun dhe të ardhmen e tij

Tre krerët e institucioneve kryesore të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj, pritet që më 1 korrik të marrin pjesë në takimin e Parisit, të thirrur nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Meqë ky takim do t’i bëjë bashkë palën kosovare dhe atë serbe, pjesëmarrës pritet të jenë edhe dy bashkëkryesuesit e ekipit negociator, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

Teksa ka folur rreth takimit të Parisit, kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari-Lila ka thënë se koordinimi i vetëm që mund ta bëjnë liderët institucionalë është për të udhëtuar bashkërisht.

“Pala kosovare nuk e ka idenë në raport me dialogun dhe të ardhmen e tij. Kanë treguar që krejt çka mund të koordinohen është të udhëtojnë së bashku dhe pastaj të krijojnë skandale kudo që shkojnë”, ka deklaruar ajo. Pala kosovare sipas saj ende është e çakorduar në mes vete, shkruan “zëri”.

Madje ajo ka konsideruar se takimet në Prishtinë kanë treguar se nuk japin ndonjë rezultat për performancën e tyre kur dalin jashtë vendit.

“Ndaj nuk kam ndonjë shpresë se do të arrihet diçka e jashtëzakonshme me të njëjtit pjesëmarrës, të cilët e kanë dështuar Berlinin, po besoj që prapë do të gjejnë mënyra dhe forma për ta dështuar edhe Parisin”, ka nënvizuar Kusari-Lila.

Koalicioni qeverisës sipas saj nuk ka funksionuar me një zë prejse është formuar.

“Është ky koalicion qeveritar që tash funksionon për një vit e gjysmë dhe asnjëherë nuk e kemi pasur një qëndrim të unifikuar për asnjërën prej çështjeve me rëndësi për vendin”, ka theksuar e para e Alternativës.