Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se nga takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel nuk mund të pritet shumë dhe se arritja e një marrëveshje finale me Serbinë e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq, sipas saj është e vështirë.
Duke vlerësuar nga ajo që është parë deri më tani, siç thotë Kusari-Lila nuk ka ndonjë mundësi për përafrim në çfarëdo aspekti.
‘Me këtë Serbinë e Vuçiqit është shumë e vështirë me pas një marrëveshje finale e cila mund të ketë kredibilitet siç po e shohim ne deri tash, nga ajo që po shihet, sa do të realizohet mbetet të shihet”, u shpreh Kusari-Lila gjatë intervistës për Telegrafin.
Ajo tha se “sa i përket prioritetit, është e vërtetë që Bashkësia Ndërkombëtare insiston dhe kërkon, por absolutisht unë nuk pajtohem me faktin që Kurtit po i shkon gjithë energjia ose koha duke u marrë me dialogun me Serbinë”.
“Në Bruksel ka qenë me i taku edhe komisionerët, Brukseli nuk është vetëm për dialogun por edhe për procesin i cili pashmangshëm është ai i rrugës tonë drejt Bashkimit Evropian dhe mënyrën si po synohet të portretizohet është pak më e rënduar sesa që është”, theksoi ajo.