Fjalë Kyçe

Kush është Afrim Gashi që dyshohet për mashtrime dhe falsifikime me pronën në Veternik

Kush është Afrim Gashi që dyshohet për mashtrime dhe falsifikime me pronën në Veternik

Përderisa, Gjykata Themelore refuzon kërkesën për sekuestrimin e pronës me arsyetimin se nuk ka dyshim të bazuar se është derivat i veprës penale, Afrim Gashi vazhdon të mbetët nën masën e arrestit shtëpiak, pikërisht me dyshimin e bazuar se me vepër penale në bashkëkryerje e kanë fituar këtë pronë.

Por kush është Afrim Gashi dhe pse kishte autorizim për të gjitha shitblerjet e kësaj prone?

Sipas të dhënave të siguruara nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Afrim Gashi bashkë me tre persona tjerë, ka edhe një aktakuzë aktive qysh nga viti 2008.

Gashi akuzohet se në bashkëkryerje kishin vënë në lajthitje Gjykatën Komunale në Prishtinë duke falsifikuar një dëftese se kinse kanë pranuar 300 mijë euro nga e dëmtuara A.S dhe një autorizim të cilën kinse e kanë vërtetuar në Nish, Këtë dokumentacion të falsifikuar e kishin përdorur në një rast gjyqësor pikërisht për një pronë. Për këtë, Gashi dhe tre të tjerë po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë”.

Gashi, po në aktakuzë akuzohet serish për “legalizim të përmbajtës së pavërtetë”, pasi kishte venë në lajthitje gjykatën komunale duke prezantuar një certifikatë dhe kopje të planit të pavërtetë.

Sipas përgjigjes së Gjykatës, lënda është ende në procedurë dhe se seanca është caktuar të mbahet në prill 2024. Veç këtyre, Prokuroria në kërkesën për paraburgim, kishte cekur se sipas të dhënave nga Policia, Gashi ka katër vepra penale të mashtrimit, 3 vepra penale të falsifikimit të dokumenteve dhe vepra tjera penale.

“Afrim Gashi është një person që flitet se ka lidhshmëri me shumë persona që kanë ndikim në sistem të drejtësisë, qoftë në prokurori apo Polici. Sipas hetimeve që janë zhvillu në prokurori të shtetit lidhja e Afrim Gashit, me Ylber Hysenin do të thotë ka filluar në bazë të hetimeve që nga momenti kur Ylber Hyseni është shpallë si trashëgimtar ligjor i parcelës 1743, trashëgimtar ligjor i nënës së tij, Zojë Hyseni ku si dëshmitarë ka qenë Afrim Gashi me bashkëshorten e tij, Melihate Gashi”, ka thënë avokatja e palëve Sadiku, Saranda Keqekolla-Sadiku.

“Betimi për Drejtësi”, ka tentuar të marrë në intervistë edhe avokaten e Gashit, Kosovare Kelmendin, por në një përgjigje me shkrim ajo ka thënë se me marrëveshje me te njëjtin, ka revokuar autorizimin për të qene me tutje mbrojtëse e tij.

Mirëpo, nga gjykata thonë se ende nuk kanë pranuar revokim të autorizimit.

Autorizimi për Afrim Gashin nga Ylber Hyseni do të fillonte qysh kur lënda për vërtetim të pronësisë ishte ende në Gjykatë. Hyseni pronën në shkallë të parë e kishte fituar më 14 shtator 2015, ndërsa vendimi ishte bërë i plotfuqishëm më 22 gusht 2019.

ka siguruar një parakontratë të lidhur më 24 gusht 2015 tek noterja Valdete Ademi mes Afrim Gashit si i autorizuar dhe S.M si blerës.

Ajo çfarë le pikëpyetje në këtë parakontratë është fakti se thuhet se “Pronarja Zojë Hyseni e cila përfaqësohet nga djali i saj Ylber Hyseni, i cili përfaqësohet në bazë të autorizimit nga Afrim Gashi. Në këtë parakontratë nuk tregohet nëse vetë Ylber Hyseni kishte autorizim nga nëna e tij për të marrë veprime në lidhje me këtë pronë, pasi ligji njeh autorizimin dhe jo përfaqësimin.

Sipas Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve, neni 72 parasheh përfaqësimin me autorizim. Ndërsa në neni 74 thuhet se “përfaqësuesi nuk mund të bëjë bartjen e autorizimeve ta veta në tjetrin, përveç nëse kjo i është lejuar me ligi ose me kontratë.

Për këtë, “Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar intervistë me noteren Valdete Ademi, por ajo ka refuzuar të përgjigjet

Tutje, sipas të dhënave të siguruara del se po kjo notere kishte noterizuar edhe dokumentin “Resenje Broj”, që palët pretendojnë së është i falsifikuar dhe dokumentet tjera në këtë rast.

Për këtë, avokatët hedhin dyshime për lidhje familjare mes të dyshuarave dhe noteres.

“Në bazë të hulumtimeve që janë bërë në Internet, shihet se noterja Valdete Ademi ka shoqëri të ngushta me Melihate Gashin, bashkëshorten e Afrim Gashit. Dhe lindje pyetja, tash lindë dyshimi se akoma mbetet për tu hetuar se me të vërtetë Ylber Hyseni e ka posedu dokumentin origjinal kur e ka noterizu të noterja apo kjo është bërë për shkak të shoqërisë?”, ka thënë avokatja Saranda Keqekolla-Sadiku.

Në lidhje me ketë portali ka tentuar të kontaktojë edhe me bashkëshorten e Afrim Gashit, por deri në publikimin e këtij emisioni nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkaq, ekipi ka siguruar deklaratën e noteres Ademi dhënë në Polici, ku kishte thënë se me përgjegjësi të plotë deklaron se i është prezantuar vendimi origjinal pasi që nuk vërteton dokumente pa e pasur dokumentin origjinal. Ndërsa, kishte thënë se nuk i njeh as Ylber Hysenin e as Afrim Gashin.

Palët Sadiku kanë ushtruar kallëzim penale ndaj noteres Valdete Ademit për keqpërdorim të pozitës zyrtare. /BetimiPërDrejtësi/