Fjalë Kyçe

Kush është Avdullah Hoti, kandidati i LDK-së për Kryeministër

Kush është Avdullah Hoti, kandidati i LDK-së për Kryeministër

Kryesia e LDK-së, në mbledhjen e mbajtur sot ka marrë vendim që Avdullah Hoti të jetë kandidat i kësaj partie për kryeministër të Kosovës.

Kjo është konfirmuar nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një prononcim para medieve pas përfundimit të mbledhjes.

“Jemi pajtuar që zotëri Avullah Hoti të propozohet nga kryesia e LDK-së për kryeministër”, ka thënë Mustafa.

Por emri i Hotit u komentua pak kohë më parë, pasi kryeministri në detyrë Albin Kurti e shkarkoi nga detyra si zëvendëskryeministër të parë pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti në Kuvendin e Kosovës.

Avdullah Hoti u emërua ministër i financave më 9 dhjetor 2014.

Më herët ai ka qenë nënkryetar i komunës së Prishtinës për tri vjet gjatë kohës sa komuna drejtohej nga Isa Mustafa.

Biografia e Avdullah Hotit:

Arsimi: Ka studiuar menaxhment dhe informatikë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës gjatë viteve 1994-1998.

Studimet e magjistraturës (2001-2002) dhe të doktoratës (2003-2007) për ekonomiks i ka përfunduar në Staffordshire University, Britani e Madhe.

Më 2008 është certifikuar nga Staffordshire University për metoda hulumtuese dhe mentorim të studentëve të doktoratës.

Përvoja akademike dhe hulumtuese: Ka filluar angazhimin si asistent mësimor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1998. Në vitin 2008 është zgjedhur Profesor Asistent, ndërkaq më 2012 është zgjedhur profesor i asocuar. Në këtë fakultet ligjëron disa kurse në studimet bachelor, master dhe të doktoratës.

Në Kolegjin Dardania në Prishtinë ligjëron mikroekonominë dhe makroekonominë. Ka ligjëruar në Universitetin e Pejës gjatë vitit 2008-2009. Gjatë viteve 1999-2004, ka punuar si hulumtues, me kohë të pjesshme, në Institutin Riinvest në Prishtinë. Ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës gjatë viteve 2007-2009.

Ka qenë anëtar i disa këshillave profesionale dhe akademike në vend dhe jashtë. Ka publikuar gjashtë tekste, në gjuhën angleze, prej tyre dy si autor i vetëm dhe katër si bashkautor.

Ka publikuar 16 artikuj shkencorë në revista ndërkombëtare lidhur me tregun e punës, zhvillimin ekonomik dhe tranzicionin, arsimin, migracionin dhe remitancat dhe fusha të tjera. Ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare dhe vendore.

Angazhimet politike: Gjatë viteve 2006-2007, ka qenë Këshilltar i Lartë i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës.

Gjatë viteve 2008-2009, ka qenë Këshilltar për Ekonomi i Kryetarit të Komunës së Prishtinës. Për një mandat (2010-2013) ka qenë Nënkryetar i Komunës së Prishtinës.

Nga viti 2006 është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Nga viti 2010, është anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga viti 2011, ka kryesuar Këshillin e Ekspertëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në qershor 2014, është zgjedhur Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës.