Fjalë Kyçe

Kuvendi dhe Ambasada Britanike me Memorandum për emërime profesionale

Kuvendi dhe Ambasada Britanike me Memorandum për emërime profesionale

Kuvendi i Kosovës dhe Ambasada Britanike kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi për të siguruar emërime profesionale.

Nënshkrimi i Memorandumit u bë nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani dhe ambasadori britanik Nicholas Abbott.

Abbotti tha se emërimet, u takojnë megjithatë institucioneve të Kosovës dhe ta bëjnë atë në pajtim me legjislacionin.

“Nuk mund të zgjidhen nga jashtë por vetëm me vullnet politik dhe me punë profesionale. Jam i vetëdijshëm se kjo nuk është ndërmarrje e lehtë por parakusht për zhvillimin. Projekti ju ofron mbështetje por emërimet iu takojnë institucioneve në pajtim të plotë me legjislacion në fuqi. Suksesi i këtij projekti do të jetë suksesi i Kosovës por edhe dështimi i ndonjë procesi do të jetë dështim i institucioneve. Bashkëpunimi ynë për rekrutime meritore ka dhënë rezultate të përziera”, tha Abbotti, raporton KOHA.

Ai shtoi se “Kemi edhe përvojën e hidhur kur përkundër punës së panelit”.

“Vet Kuvendi ka emëruar individ duke mos i përmbushur kriteret. Në raste të tilla do të reagojmë sikurse kemi reaguar. Uroj që kësaj radhe të mos kemi raste të tillë. Dëshiroj të theksoj që korrupsioni nuk luftohet vetëm një ditë por çdo ditë e për një kohë të gjatë. Kosova i meriton një të ardhme më të ndritur e cila vjen vetëm duke punuar në mënyrë të drejtë”, shtoi Abbotti.

Ndërsa Osmani ka theksuar se memorandumi me ambasadën britanike është vullnet i dyanshëm.

“Përmes këtij partneriteti ne synojmë që të rrisim transparencën të rrisim meritokracinë në këtë proces. Në këtë memorandum janë të përfshira fillimisht 10 institucione dhe e kemi mundësinë e hapur që të shtojmë edhe agjenci të tjera. Puna e kompanisë së përzgjedhur do të varet edhe nga gjendja pandemike në vend që nënkupton ndonjëherë edhe prezencën fizike e ndonjëherë edhe komunikimet në forma tjera”, tha kryeparlamentarja Osmani.