Përderisa fushata zgjedhore e partive politike të regjistruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të nisë nesër (11 janar), Kuvendi i Kosovës sot pezullon punën (10 janar), për zgjedhjet e rregullta që do të mbahen më 9 shkurt të këtij viti.
Violeta Haxholli nga Demokraci Plus (D+) në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nga sot funksioni i Kuvendit konsiderohet i pezulluar.
“Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Nenit 66, paragrafi 2, zgjedhjet e rregullta për Kuvend mbahen më së voni tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit.
Prandaj Kuvendi ende ka mandat deri me 21 mars 2025, por nuk mund të mblidhet në seanca dhe komisione pasi që Rregullorja e Punës së Kuvendit, Neni 13, paragrafi 3, e specifikon që Kuvendi e pezullon punën një ditë para fillimit të fushatës për zgjedhjet e rregullta për Kuvendin. Që do të thotë nga sot funksioni i Kuvendit konsiderohet i pezulluar”, ka thënë Haxholli.
Ndryshe, ky vendim është në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi, konkretisht me nenin 13 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës.
Sipas kësaj rregulloreje, Kuvendi i Kosovës është i detyruar që të pezullojë punën një ditë para fillimit të fushatës zgjedhore, por ka mundësi për thirrjen e seancave të jashtëzakonshme nëse është e nevojshme.
Siç specifikohet në nenin 3 të Rregullores, “Kuvendi e pezullon punën një ditë para fillimit të fushatës për zgjedhjet e rregullta për Kuvendin”.
Në këtë periudhë, partitë politike do të kenë mundësinë të përqendrohen në promovimin e programeve të tyre dhe të realizojnë aktivitete për mobilizimin e zgjedhësve.
Zgjedhjet e rregullta të përgjithshme janë planifikuar të mbahen më 9 shkurt 2025.
Ndërkaq, mandati i Kuvendit aktual kishte nisur më 22 mars 2022 dhe do të përfundojë më 21 mars 2025, duke hapur mundësinë për një mandat të ri të zgjedhur nga populli.